Ballina Europë Tragjedi në Mesdhe/ 50 emigrantë të vdekur dhe 400 të zhdukur pas...

Tragjedi në Mesdhe/ 50 emigrantë të vdekur dhe 400 të zhdukur pas ciklonit Harry

24
0

Të paktën 50 persona janë mbytur pasi një varkë që tentonte të kalonte Mesdheun u përmbys në kushte të vështira moti. Mjeti lundrues ishte nisur nga Tunizia dhe transportonte azilkërkues.

Vetëm një person ka mbijetuar. Ai u gjet i kapur pas mbetjeve të varkës nga anija “Star” ku kishte qëndruar për rreth 24 orë. Pas gjetjes u transportua në spital në gjendje të rëndë, ku edhe konfirmoi se në varkën me të cilën po udhëtonte ishin rreth 50 pasagjerë, që tashmë konsiderohen të vdekur.

Autoritetet e portit të Lampeduzës në Itali kanë kërkuar zonën ku ndodhi përmbysja e varkës që prej mbrëmjes së së premtes, por pa rezultate.

Europa Jugore u godit ditët e fundit nga cikloni Harry, çka ka rritur frikën se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë. Roja Bregdetare Italiane ka lëshuar alarm për të gjitha anijet, duke njoftuar se tetë varka janë nisur nga Tunizia gjatë 10 ditëve të fundit dhe nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion.

Sipas autoriteteve, këto mjete lundruese besohet se transportonin të paktën 400 persona, të cilët aktualisht rezultojnë të zhdukur.