Ballina Kosovë ​Ish lideri kryesor “i zhdukur” i serbëve, flet për Banjskën, Radoiçiçin, Kurtin...

​Ish lideri kryesor “i zhdukur” i serbëve, flet për Banjskën, Radoiçiçin, Kurtin e Thaçin

21
0

Pas gjashtë vjetësh heshtjeje politike, kryetari i Partisë Liberale të Pavarur (SLS), Sllobodan Petroviq, dikur lideri kryesor i serbëve të Kosovës, ka folur për herë të parë në një intervistë për KosovaPress, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj partie. Deklaron se SLS ndodhet në status të “ngrirë” që nga viti 2020 për shkak të parregullsive zgjedhore, presioneve politike dhe mungesës së mbështetjes institucionale. Mungesa e dialogut, politizimi i çështjeve kyçe dhe mosfunksionimi i institucioneve kanë bërë që serbët në Kosovë, siç thotë ai, të ndjehen „të frikësuar“. Megjithatë, i rezervuar shprehet për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa refuzon të marrë qëndrim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë e sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Sipas tij, Lista Serbe nuk ka ndikim real në institucionet e Kosovës, ndërsa përfaqësimi institucional i komunitetit serb mbetet i fragmentuar dhe joefektiv. Petroviq vlerëson se kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në emigrimin e serbëve, duke e quajtur këtë një humbje jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për vetë institucionet e Kosovës.

Në këtë intervistë, Petroviq flet edhe për proceset zgjedhore në Kosovë, të cilat, sipas tij, kanë qenë të shoqëruara me parregullsi të vazhdueshme, duke cenuar besimin në demokraci dhe duke pamundësuar garë të lirë politike, veçanërisht për subjektet politike serbe që nuk janë pjesë e Listës Serbe. Ai thekson se pikërisht këto rrethana kanë qenë arsyeja kryesore që SLS të ndërpresë aktivitetin politik, duke pritur krijimin e kushteve minimale për veprim të lirë dhe demokratik.

SLS 6 vjet jofunksionale, Petroviq akuzon institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare

„Përndryshe, Partia Liberale e Pavarur është në status të ngrirë që nga viti 2020, siç është gjë e ditur botërisht. Arsyet u thanë qartë atëherë, dhe sot vërtetohet se kishim të drejtë. Domethënë, për shkak të presioneve të ndryshme, respektivisht parregullsive zgjedhore dhe me një mosmbështetje më se të dukshme, nëse mund të them kështu, nga institucionet e Kosovës së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe në kushtet kur institucionet nuk bëjnë punën e tyre, atëherë politika nuk ka shumë hapësirë. Kështu që ne, për arsyet që i thashë, morëm vendimin të ngrinim angazhimin tonë politik deri në momentin kur të krijohen kushtet minimale, elementare për veprim të lirë politik në hapësirën e Kosovës“, thotë ai.

Petroviq nuk përjashton rikthimin në skenën politike.

Petroviq: Do të jap energjinë time në dy gjëra, në dialog dhe në politikën e përgjegjshme

„Siç thashë, SLS-ja është në gjendje të ngrirë që nga viti 2020. Ne atëherë thamë se nëse institucionet dhe ndërkombëtarët e pranojnë atë vjedhje votash, ne nuk do të jemi pjesë e asaj legjitimiteti. SLS-ja do të kthehet kur të krijohen kushtet për jetë normale politike. Sa i përket angazhimit tim personal, unë do të jap energjinë time në dy gjëra: në dialog dhe në politikën e përgjegjshme. Se në çfarë forme do të bëhet kjo, koha do ta tregojë. Gjatë këtyre gjashtë viteve nuk jam aktivizuar në politikën ditore sepse nuk është korrekte të kritikosh pa pasur mundësi të japësh shembull“, thotë ai.

Partia që në zgjedhjet e 28 dhjetorit siguroi 9 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, bojkoton institucionet, vepron në linjë me Beogradin dhe është akuzuar për lidhje me struktura kriminale. I pyetur nëse ka pasur presion nga kjo parti apo nga Beogradi zyrtar gjatë gjashtë viteve sa qëndroi jashtë politikës aktive, Petroviq shprehet i rezervuar.

Nuk flet as për të kërkuarin nga Interpoli, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Petroviq refuzon të marrë qëndrim për kryeterroristin Milan Radojiçiq

„Nuk jam fare në atë temë, të them të drejtën nuk kam as interes”, thotë ai.

Kritik nuk është as për propagandën që Serbia bën vazhdimisht karshi Kosovës, ndërkohë që kryeministri në detyrë Albin Kurti i është drejtuar disa herë komunitetit serb në gjuhën e tyre për të siguruar informacion të drejtë.

Ai vlerëson se mbështetja e lartë që qytetarët i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit është testi i parë i madh për kryeministrin në detyrë. Sa i përket ministrit Rashiq, Petroviq thekson: „Lista Serbe nuk ka ndikim në institucionet e Kosovës, ndërsa Rashiq nuk mund të jetë ‘supermen’ që të arrijë të informojë gjithçka dhe të zgjidhë të gjitha problemet.“

Petroviq për Rashiqin: Nuk është „supermen“

„Po propaganda është diçka që qysh prej fillimit, kjo nuk është asgjë e re, gjithçka kanë folur , shumë edhe kanë punuar edhe për mua edhe për partinë që kam udhëhequr kështu që kjo është diçka që është pjesë e jetës politike, ajo por po them që është kryesisht prioritet që edhe Albin Kurti si bartës i institucioneve edhe si njeriu që ka marrë më së shumti vota, ai me partinë e tij, që ai të fillojë me realizimin përkatësisht asaj që vetë ka premtuar, në dialog dhe bisedime. Kjo sigurisht, nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet,… është e pamundur, Lista Serbe nuk ka kurrfarë ndikimi në institucionet e Kosovës, kjo është evidente, nga ana tjetër e kemi Rashiqin i cili është ministër i cili nuk është ’supermen’ nuk mund të arrijë në të gjitha anët që të informojë, e kështu me radhë.“

„Të bukur“ e quan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 28-dhjetor të vitit të kaluar, ku sipas rezultateve preliminare, LVV fitoi 51.10 përqind të votave.

Petroviq: E bukur që Kurti mori mbi 50 përqind të votave, është përgjegjësi

„Kështu që duhet që dialogu dhe ai aktivitet të nis sa më shpejt. Unë jam shumë i sigurt që shumë shpejt do të jenë ato tema të cilat kanë qenë të lehta, leht të zgjidhshme të vinë si problem serioz, posaçërisht tash pas procesit zgjedhor ku Albn Kurti përkatësisht Vetëvendosja kanë marr më shume se 50% përkrahje që është gjë e madhe, është e bukur, edhe unë kam qenë në atë rol brenda komunitetit serb, ku si parti kemi, në disa procese zgjedhore kemi fituar shumicën absolute në komunitetin serb, dhe ajo ditë është e bukur, atëherë festohet, por të nesërmen kjo është obligim dhe përgjegjësi shumë më e madhe, kështu që unë frikohem se pikërisht kjo përqindje sa më e madhe të jetë, do të jetë edhe barrë më e madhe për Albin Kurtin dhe qeverinë e cila do të duhet që disa tema dhe disa pyetje t’i zgjidhë sa më parë se thjesht e gjithë përgjithësia përkatësisht përkrahja e cila është, prapë po e përsëris e mire dhe e rëndësishme por nga ana tjeter është edhe obligim, kështu që në periudhën e ardhshme pres që do të ketë shumë kërkesa dhe shumë presione nga ana e partnerëve ndërkombëtar, që marrëveshjet e caktuara të cilat janë dakorduar dhe nënshkruar të implementohen.“

E fokusi i Qeverisë së Kosovës, Serbisë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, sipas Petroviqit, duhet të jetë dialogu. Anashkalon faktin se Serbia nuk ka implementuar marrëveshjet e deritanishme, duke e zhvendosur përgjegjësinë te Kosova, pasi këtë të parën nuk e konsideron asnjëherë si problem aktiv.

Asociacioni dhe dialogu, Petroviq përmend „gogolin“, apelon për presion ndërkombëtar

„Së pari, nuk e di fare pse ky Asociacion është bërë kaq problem i madh dhe diçka ’abstrakte’. Unë isha në Bruksel në vitin 2013 kur u arritën marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, kështu që disa gjëra i di sepse isha drejtpërdrejt aty. Këto të tjerat pas kësaj i kam dëgjuar ’nga dora e dytë ose e tretë’. Dialogu nuk ka alternativë; do të jetë kushti numër një si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Kushdo që është më i shpejtë dhe më i suksesshëm, do të ketë më shumë mundësi për të përparuar. Sikur të isha të isha në vend të Albin Kurtit, unë së pari do t’i zgjidhja ato gjëra sepse janë obligime ndërkombëtare që u shërbejnë interesave të qytetarëve këtu. Mendoj se i kemi dhënë shumë rëndësi gjërave që janë keqpërdorur nga të dyja palët për qëllime politike ditore dhe fushata zgjedhore. Kanë krijuar një ’gogol’ nga diçka që në esencë nuk është ashtu. Kështu njerëzit e shohin Asociacionin si diçka të jashtëzakonshme, por nuk është as afër asaj që prezantohet. Dialogu, siç po shihet, është në pikën zero. Para disa ditësh pashë që u fol për të pagjeturit, që është temë serioze, por kam përshtypjen se gjërat bëhen sa për t’u bërë dialog, e jo për thelbin e përmirësimit të jetës. Pres presion më të madh nga ndërkombëtarët në periudhën vijuese“, thotë ai.

Petroviq ka folur edhe për gjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Thotë se gjatë ndjekjes së seancave ka vërejtur se në mbrojtje është përmendur bashkëpunimi i tyre me komunitetin serb pas vitit 1999.

Petroviq thekson se ka pasur bashkëpunim korrekt institucional me ta, duke rikujtuar se ka shërbyer si zëvendëskryeministër në kohën kur Thaçi ishte kryeministër dhe si nënkryetar i Kuvendit kur Kadri Veseli ishte kryetar i këtij institucioni.

Petroviq për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Kishin bahskëpunim korrekt me komunitetin serb

„Kam parë që gjatë mbrojtjes atje është përmendur bashkëpunimi i tyre me komunitetin serb pas vitit ’99. Unë kam qenë zëvendëskryeministër kur Thaçi ishte kryeministër, kam qenë nënkryetar i Kuvendit kur Kadri Veseli ishte kryetar, ashtu si edhe me Jakup Krasniqin. Bashkëpunimi ynë ka qenë më se korrekt dhe nuk ka nevojë as të shtohet e as të hiqet asgjë nga kjo. Thjesht, kështu ka qenë“, thotë Petroviq.