Ballina Politika Schieder për çështjen Balluku: SPAK të mos pengohet, institucionet të marrin vendimet...

Schieder për çështjen Balluku: SPAK të mos pengohet, institucionet të marrin vendimet e duhura

25
0

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder (S&D, Austri), komentoi zhvillimet lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, duke theksuar se institucionet shqiptare duhet të marrin vendimet e duhura dhe se puna e SPAK nuk duhet të pengohet.

Gjatë një konference për shtyp, Schieder deklaroi se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje juridike apo ligjore konkrete, por pret që institucionet shqiptare të kryejnë punën e tyre, ndërsa SPAK të veprojë mbi bazën e gjetjeve dhe vlerësimeve të veta.

Ai nënvizoi se puna e SPAK duhet të mbetet e pandërprerë dhe të mos pengohet nga institucione apo aktorë të tjerë, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje që cenon reformën në drejtësi mund të minojë integritetin që Shqipëria ka fituar vitet e fundit në luftën kundër korrupsionit.

“Mbështesim punën e SPAK. Të gjitha institucionet e tjera duhet ta mbështesin SPAK,” u shpreh Schieder.

Raportuesi i PE theksoi gjithashtu se Shqipëria duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit, të dekriminalizojë shpifjen dhe të rrisë transparencën mbi financimin e medias.