Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë herë sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, duke tentuar të delegjitimojë publikisht Shoqatën e Prokurorëve, vetëm pse kjo e fundit kërkoi që Gjykata Kushtetuese të mos ndikohet nga presioni politik në çështjen e pagave të magjistratëve.
Në një reagim, Rama deklaroi se bëhet fjalë për “një shoqatë të re, ende të paregjistruar sipas ligjit”, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i saj nuk ka legjitimitet. Por kjo deklaratë e kryeministrit rezulton e pavërtetë.
Gazetari Isa Myzyraj ka publikuar dokumente zyrtare që vërtetojnë se Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë është e regjistruar plotësisht dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas Myzyrajt, deklarata e Ramës është një tjetër përpjekje për të dezinformuar opinionin publik dhe për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë.
“Kryeministri Edi Rama, në vazhdën e sulmeve të hapura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi, ka deklaruar se Shoqata e Prokurorëve nuk është e regjistruar sipas ligjit. E vërteta është krejt ndryshe. Me ose pa dashje, kreu i qeverisë është gënjyer, dhe për pasojë ka gënjyer opinionin publik lidhur me regjistrimin e kësaj organizate”, shkruan Myzyraj, duke bashkëlidhur dokumentacionin përkatës.
Reagimi i Ramës erdhi pasi Shoqata e Prokurorëve u shpreh qartë se çdo presion publik ndaj Gjykatës Kushtetuese, në një fazë të ndjeshme përpara vendimmarrjes, cenon parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Në vend që të adresojë thelbin e shqetësimit – respektimin e pavarësisë së institucioneve – kryeministri zgjodhi të sulmojë vetë legjitimitetin e shoqatës.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përplaset publikisht me aktorë të sistemit të drejtësisë, sidomos kur vendimmarrjet prekin interesat e qeverisë. Por tentativa për ta paraqitur një organizatë të regjistruar ligjërisht si “të paregjistruar”, përbën një tjetër rast të retorikës së papërgjegjshme dhe të rrezikshme ndaj institucioneve që duhet të jenë të pavarura nga pushteti ekzekutiv.







