Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Amnistia Penale në Shqipëri duhet të jetë më e gjerë dhe të përfshijë më shumë kategori të burgosurish.
Komentet Spahiu i bëri në Report TV, ku tha se burgjet shqiptare, ndryshe nga ajo që ndodh në vendet e BE-së, nuk kanë arritur të shndërrohen në institucione rehabilituese.
Spahiu tha gjithashtu se të burgosurit në Shqipëri, kur dalin nga burgu, kanë predispozita shumë të larta që të bëhen përsëritës të krimeve të kryera.
Ai shtoi gjithashtu se në Shqipëri duhet të aplikohen edhe masa të tjerë shtrënguese, veç burgut.
“Një nga hapat e rëndësishëm të një shteti është aministria penale. Sigurisht që aspekti njerëzor dhe financiar janë dy aspektet kryesore të një amnistie penale. Ka grupe të ndryshme shoqërore që janë të interesuara për çështjet e amnistisë, pa llogaritur këtu që edhe vetë shteti ka nevojë për të riorganizuar dhe strukturuar punën në burgje dhe paraburgim. Për ata që na ndjekin, duhet bërë e qartë që kemi të bëjmë me një amnisti jo masive, jo të madhe, kryesisht përfitojnë ata që kanë kryer kundravajtje penale. Përfitojnë ata që janë dënuar me 3 vite burg meshkujt, apo 4 vite burg femrat. Bëhet përjashtim për shumë vepra penale. Pothuajse për numrin më të madh të veprave penale bëhet përjashtim. Shteti ka nevojë për një amnisti penale më masive, edhe për një arsye tjetër, sepse Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të BE-së, burgjet nuk ka arritur t’i shndërrojë në institucione rehabilituese.
Kjo sepse pjesa më e madhe e të burgosurve pasi dalin nga burgu, bëhen përsëritës. Nuk e kryen qëllimin kryesor që ka burgimi. Burgimi nuk është thjeshtë një izolim për persekutim, për torturim apo diskriminim, por qëllimi është që kur i burgosuri të dalë nga ky institucion të dalë i rehabilituar. Burgjet shqiptare janë faqja e zezë. Të burgosurit në burgjet shqiptare duhet të shkojnë me dyshek, çarçafe e veshmbadhje me vete. Disa thonë ‘mirë t’ju bëhet’, po kjo nuk është logjike, sepse ne nuk duam t’i nxjerrim më kriminelë sesa kanë qenë ata. Mos të shkojmë te ajo historia që po hyre 6 muaj del 6 herë më negativë e kriminelë nga burgu”, tha mes të tjerash Spahiu.
Kujtojmë se Qeveria ka përgatitur një Amnisti Penale, që do të kalojë nga Këshilli i Ministrave në Kuvend, nga i cili pritet të përfitojnë mbi 10 mijë persona, me 380 të burgosur që pritet të lirohen menjëherë dhe 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi.







