Viktima e vrasjes së rëndë me hanxhar në një garsoniere në qytetin e York-ut ishte një emigrant shqiptar, i cili kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar të ardhura për familjen e tij, u tha në Gjykatën e Kurorës në Leeds.
Indrit Mustafaj ishte larguar nga Shqipëria që në moshë të re, pasi babai i tij ishte i sëmurë rëndë dhe i paaftë për punë. Ai kishte udhëtuar i vetëm drejt Anglisë me synimin për të punuar dhe për të dërguar para për prindërit dhe dy motrat e tij.
Vdekja e tij i ka lënë familjarët të shkatërruar financiarisht dhe emocionalisht. Në një deklaratë personale, ata shprehën dhimbjen e thellë për humbjen:
‘Zgjohemi çdo ditë me dhimbje dhe flemë me pyetje. Ndikimi mbi ne është i paimagjinueshëm. Ai ishte i sjellshëm, i butë, ishte dashuria e jetës sonë.’
Sipas familjes, Indriti nuk e kishte parë më familjen e tij që nga dita kur u largua për në Angli. Atij iu deshën nëntë vite për të mbledhur paratë e nevojshme për biletën e kthimit dhe po planifikonte t’i surprizonte me një vizitë, por u vra vetëm një muaj para se të mbushte 27 vjeç.
Lajmi i vdekjes së tij tronditi rëndë nënën, e cila, sipas familjarëve, tani ‘jeton në heshtje’.
Megjithatë, ata thanë se nuk ndiejnë urrejtje ndaj autorëve të krimit, por kërkojnë drejtësi për të birin.
Gjykata dëgjoi se Indrit Mustafaj kishte udhëtuar çdo ditë për të paktën një javë nga Bradfordi në York, ku qëndronte në një garsoniere në rrugën Vyner, pranë Haxby Road. Në banesë ai merrte telefonata, ndërsa një grua dhe një burrë nga Yorku dilnin jashtë për të shitur drogë personave në rrugë.
Sipas dëshmive, Mustafaj mbante shpesh me vete një hanxhar, i cili ndodhej mbi shtrat në momentin kur autorët e krimit, të armatosur me një levë hekuri, hynë me forcë në banesë. Ata përdorën armën e tij për ta vrarë.
Pas dënimit me burg të Michael Mulvana, 32 vjeç, dhe Jobie Tyers, 35 vjeç, për vrasjen e Indrit Mustafajt, drejtuesja e hetimeve, Fran Naughton, deklaroi se viktima me shumë gjasë e mbante hanxharin për vetëmbrojtje.
‘Por duke pasur një thikë, rrezikon të armatosësh vetë sulmuesin tënd,’ tha ajo, duke shtuar se policia sheh shpesh pasoja tragjike të mbajtjes së armëve të ftohta dhe dhimbjen e madhe që ato lënë pas te familjarët e viktimave.







