Ballina Politika Pezullimi i Ballukut/ BIRN: Bie edhe alibia e Ramës për të mos...

Pezullimi i Ballukut/ BIRN: Bie edhe alibia e Ramës për të mos vendosur për heqjen e imunitetit

24
0

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk do të mund të paraqitet në punë, pasi Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrje 4 me 4, nuk arriti të plotësojë kërkesën e Ramës për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin , duke bërë praktikisht që vendimi i GJKKO të mbetet në fuqi. Tani socialistët do të duhet të shprehen për kërkesën tjetër, atë për mandatin parlamentar të zëvendëskryeministres së akuzuar për shkelje të ligjit të prokurimeve.

Gjykata vendosi “rrëzimin e kërkesës” së Ramës duke argumentuar se ministri nuk përfshihet në kategorinë e personave të zgjedhur dhe “Pezullimi nga Detyra” nuk përfshihet në masat shtrënguese të cilat kërkojnë miratim paraprak nga parlamenti në rast se ushtrohen ndaj një personi me imunitet.

Në një seancë që zgjati mbi  12 orë, Gjykata Kushtetuese, trupa e së cilës ka aktualisht tetë anëtarë nga nëntë që duhet të ketë normalisht, votoi 4 me 4 kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se GJKKO i ka shkelur kompetencat duke pezulluar nga detyra Ballukun. Në mungesë të shumicës, kërkesa e Ramës nuk miratohet dhe për rrjedhojë, vendimi i pezullimit mbetet në fuqi.

Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë pasi prokurorët gjetën prova në komunikimet e saj me ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar për përcaktimin e fituesve të tenderëve me vlerë dhjetëra milionë euro. Balluku fillimisht u mor e pandehur pa masë sigurie por më pas, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra pas zbulimit të përmasave sistemike të manipulimit të prokurimeve për ndërtimin e rrugëve.

I pakënaqur, kryeministri Edi Rama ngriti supozimin që GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një anëtar të Këshillit të Ministrave nga detyra pasi ky i fundit “ka imunitetin e deputetit” dhe kjo nënkupton se është post i zgjedhur, post që sipas Kodit të Procedurës, nuk mund të pezullohet nga detyra. Ndryshe nga qeveria, prokurorët e SPAK argumentuan para Gjykatës Kushtetuese se “post i zgjedhur” në kuptimin e ligjit zgjedhor janë deputetët, kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiake, ndërsa ministrat janë funksione ekzekutive të emëruar. Në seancën e 22 janarit, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko argumentuan se rendi kushtetues i vendit do të cenohej rëndë në rast se gjykata do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Ramës.

Rama pati deklaruar më herët se do të përgjigjet për kërkesën tjetër të SPAK, atë të heqjes së imunitetit nga arresti të Ballukut, me qëllim arrestimin e saj, vetëm pasi Gykata Kushtetuese të marrë vendim. Të dy çështjet janë të ndryshme dhe të pavarura nga njëra-tjetra dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet t’i përgjigjet kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit sido që të ishte vendimi i të premtes.