Ballina Politika Ja kush e dha urdhrin për të vrarë Servet Pëllumbin dhe si...

Ja kush e dha urdhrin për të vrarë Servet Pëllumbin dhe si bandat shtetërore të drejtuara nga gjenerali Agim Shehu na zunë pritë tek Ura e Dajlanit, Spartak Braho kujton dhunën e ’96-ës dhe zbulon bisedën brenda makinës me zyrtarin e lartë të PS

52
0

Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtarë, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, është kthyer pas në kohë, teksa ka kujtuar ngjarjet e rëndë të majit të vitit 1996, ku 28 vite më parë opozita e kohës u dhunua nga njerëz me pushtet, ndërkohë që zgjedhjet parlamentare u vodhën nga Partia Demokratike. Në 22 maj të vitit 1996, drejtuesit e Partisë Socialiste u kishin shpëtuar disa pritave me huliganë të ngritura nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bashkim Gazidede dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agim Shehu, me urdhër të Sali Berishës, i cili kërkonte me çdo kusht asgjësimin fizik të opozitës, për shkak se e shikonte si rrezik për pushtetin e tij. Por çfarë ndodhi realisht në atë kohë? Gazeta “SOT”, bisedoi me zotin Braho për të mësuar më shumë rreth atyre ngjarjeve, i ciliatë kohë kujdesej për sigurinë e krerëve të PS-së, të cilët kishin planifikuar për të zhvilluar një miting në Durrës. Në rrëfimin e tij, detaje këto interesante që ish-deputeti Braho, i ka hedhur edhe në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, zbulon se kishte vendosur disa aparatura në shtëpinë e një militanti në Sukth, ku dëgjonte komunikimet dhe urdhrat kriminalë të ish-kreu të policisë, Agim Shehu dhe ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidede, për të sulmuar PS-në, sipas porosive të Berishës. Në kushtet, vijon rrëfimin e tij, zoti Braho, kur kryetarin Fatos Nanon e kishte futur në burg, Berisha synonte asgjësimin e Servet Pëllumbit, një nga figurat qendrore të PS-së në atë kohë. Po ashtu, ish-deputeti Braho zbulon gjatë intervistës për gazetën “SOT”, se në 22 maj 1996, ishte, në makinë me Servet Pëllumbin dhe se kishte dëgjuar në radion-përgjuese Agim Shehun teksa urdhëronte masakrimin me çdo kusht të Servet Pëllumbit, sabotimin e mitingut të PS-së në Durrës, rrahjen e përfaqësuesve të tjerë të PS-së si dhe djegien e makinave të tyre.

-Zoti Braho, jemi 28 vite pas ngjarjeve të rënda të majit të 1996. Si i kujtoni ju ato ditë të errta?Mund të na tregoni ndonjë gjë më konkrete…

Natyrisht. Kishte filluar fushata e zgjedhjeve elektorale që do të mbaheshin më 26 maj. Si kudo edhe në Durrës, dega e PS, ishte organizuar të hynte në zgjedhje për të fituar, pasi dukej qartë që qeveria Meksi kishte marrë tatëpjetën. Ishte koha dhe viti kur firmat piramidale po shkonin drejt degradimit, ku megjithëse presidenti Berisha për të qetësuar situatën deklaroi se “paratë e shqiptarëve janë të sigurta”, një pjesë e popullsisë që kishte futur paratë në këto firma ndjehej e nervozuar dhe e zemëruar. Në strukturat policore ndërkohë ishin bërë ndryshime dhe lëvizje të drejtuesve të tyre. Në Durrës ishte emëruar Artan Kalaja, një ish mësues nga Kruja, i përfolur si dorë e fortë që mori përsipër detyrën e Drejtorit të Policisë. Të gjitha këto lëvizje dhe emërime në polici të linin të kuptohej se bëhëshin për një qëllim dhe zgjedhjet nuk do ishin të qeta. Siç ndodhi realisht më 26 maj. Dhuna, terrori, rrahjet, manipulimi dhe vjedhjet e fletëve të votimit në qendrat e votimit, çuan në largimin e komisonerëve të PS. Kështu u realizua “fitorja e Partisë Demokratike”. Në shumë qendra votimi rezultatet kaluan edhe shifrën 120%.Po atë ditë, nëpërmjet një deklarate në emër të Kryesisë së PS në Hotel Tirana, prof. Sabit Brokaj pasi vuri në dukje tërë maskaradën e zgjedhjeve, deklaroi se PS nuk i njeh ato, duke vënë në dijeni edhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat pas disa ditësh e kuptuan se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri. Por, le të vijmë te data 20 maj i atij viti.Për të treguar një ngjarje të rëndë në mitingun e degës së Partisë Socialiste të Durrësit. Në këtë takim priteshin të vinin për të ndjekur anëtarët e kryesisë prof. Servet Pëllumbi, prof. Sabit Brokaj, prof. Katriot Islami, Prof. Ethem Ruka, Ndre Legisi, Bardhyl Agasi, etj, drejtues lokalë.

-Si u ushtrua dhuna para dhe paszgjedhore?

Atë po tregoj. E parandjeja dhe intuita profesionale më thoshte se Berisha do të bënte çmos që zgjedhjet t’i manipulonte dhe fitonte me çdo kusht. Policia, SHIK dhe kontigjenti kriminal, të cilët ishin liruar disa ditë përpara nga burgu do të ishin skalioni kryesor që do të përdornin dhunën dhe presionin mbi militantët e PS dhe zgjedhësit. I shqetësuar për këtë parandjenjë bisedova me një ish oficer policie i liruar, D. Ibrahimi se ç’duhej të bënim. Shëmbyem mendime dhe ramë dakord që veprimet e policisë dhe të SHIK-ut t’i monitoronim duke interceptuar valët radiofonike që përdoreshin prej tyre. Sajuam aparaturat dhe një sasi radiosh që përdoreshin nga policia duke i instaluar në shtëpinë e një militanti në Sukth. Kjo bëri të mundur që të penetronim sa mundej në komunikimet  në çdo orë të ditës duke ndjekur me kujdes të gjitha urdhrat dhe porositë që përgatiteshin për të realizuar goditjet dhe arrestimet nga shtabi policor i Artan Kalasë në Durrës dhe Agim Shehut në Tiranë. Në këto komunikime kuptohej qartë se ishte vendosur që mitingu elektoral i PS në Durrës të sabotohej e të mos lejohej të zhvillohej. Këtë të dhënë ja përcolla Qendrës duke i vënë në dijeni të këtij parashikimi. Në datën 20 maj ne prisnim në Vorë drejtuesit e PS për t’i shoqëruar ata rrugës për në Durrës. Aty për aty bisedova me Bardhyl Agasin që ishte kryetar i degës së Partisë për të bërë një devijim. Dhashë porosi që të ktheheshin papritur në fshatin Manzë duke organizuar aty një takim spontan. Kjo manovër u bë edhe për të parë si do të reagonin ata që na ndiqnin pas. Takimi i improvizuar në Manzë u realizua me sukses, por agjentët e policisë dhe të SHIK-ut që shoqëronin autokolonën ky devijim i gjeti pa përgatitrur. Pas 30 minutash autokolona mori drejtimin për në Durrës dhe në radio u dëgjuan thirrje të egra të Agim Shehut dhe Artan Kalasë të cilët bërtisnin “pse u lejua takimi në Manzë” dhe të ndalohej me çdo kusht lëvizja e autokolonës në hyrje të qytetit të Shijakut, tek 4-Rrugët. Pa arritur atje u njoftuam se te 4- Rrugët grupe militantësh të PD kishin bllokuar rrugët në drejtim të Durrësit. Bisedova me prof. Servetin me të cilin isha në një makinë dhe pasi i sqarova situatën, i sugjerova ndërrimin e makinave. Ashtu u bë! Të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ne që i shoqëronim hipëm në makina të tjera që u morën nga militantët tanë dhe ndërkohë që automjetet zyrtare ndaluan pa u futur te 4-Rrugët, ne ecëm me shpejtësi përmes turmës së egërsuar të militantëve të cilët nuk e kuptuan këtë manovër dhe nuk arritën të identifikojnë personat. Kështu u evitua bllokimi dhe përplasja në Shijak. Por problem ishte si do të hynim në Durrës. Ecnim drejt qafës së Rrashbullit, në drejtim të Shkozetit, drejt hyrjes së Durrësit, Urës së Dajlanit. Pikërisht aty, u panë grumbullime të tjera militantësh të PD që ulërinin me shkopinj në dorë që ulërinin duke shquar midis tyre një sërë fytyrash me precedent penal.“Mbajini aty, mos i lini të futen, nxirrini nga makinat, bjeruni dhe digjuni makinat” ishin urdhrat që dëgjonim nga radiot.Unë e njihja mirë zërin e Agim Shehut. Autokolona jonë kishte ndaluar te Ura e Dajlanit në pamundësi për të bërë përpara. Papritur, në radio buçiti një zë i fortë dhe me tërsëllëmë urdhëroi “Në asnjë mënyrë të mos bëhet mitingu, do përgjigjeni me kokë. Të mos futet në Durrës Servet Pëllumbi, masakrojeni, po po masakrojeni”.Isha në një makinë me prof. Servetin.Ai e dëgjoi zërin në radio. “Ç’është ky mo Spartak, më pyeti”. Është Sali Berisha profesor i thash, kërkon kokën tënde.

-Po më tej si rrodhën ngjarjet?

“Çdo bëjmë profesor” i thashë.“Të ecim përpara” tha me qetësinë e tij. Urdhërova shoferin e makinës që të kthehej me shpejtësi majtas drejt rrugës që të çonte drejt Portit Detar. Makinat e tjera na ndoqën pas. Devijimi ishte i papritur dhe i paparashikuar për ata që kishin vendosur të na masakronin. Ndoshta menduan se ne u kthyem mbrapsht përsëri për në Tiranë.Të çliruar nga bllokimi ecëm me shpejtësi për t’u futur nga Porti, në Bulevardin Kryesor që të çonte te Pallati i Sportit ku prisnin mijëra simpatizantë. Arritëm në rrugën e Pallatit të Sportit. Zbritëm dhe ecëm në drejtim të tij të rrethuar nga turma e popullit që na priste me entuziazëm. Me kujdes, duke mbajtur profesorin pashë midis turmës edhe disa fytyra të dyshimta që ishin përzier dhe që synonin të futeshin brenda në sallën e Pallati të Sportit. Ecnim me vështirësi dhe disa metra para hyrjes kryesore pashë dikë që nxori një thikë apo kaçavidë dhe po shtyhej në drejtimin e grupit kryesor.Ky është ai i masakrës, mendova.  Dhe dikujt, nuk më kujtohet, i bëra me shenjë duke i thënë “mbërthejeni atë mut”, duke e treguar me gisht. Por rreziku nuk kishte kaluar. Pikërisht, në hyrje të derës së Pallatit të Sportit, pjesa e sipërme e të cilës ishte veshur me xham, u zgjat një shufër e gjatë hekuri dhe goditi në drejtim të kokës së profesorit. E pashë personin, ishte L.Dauti së bashku me vëllanë e tij. Xhami u thye në mes dhe një copë e madhe në formë trekëndëshi me majë poshtë mori drejtimin për të rënë mbi kokat tona, ku më pranë ishte profesori. E shtyva profesorin me forcë që ta kalonte edhe atë gjysmë metri të derës. Copa e rënë e xhamit ra me forcë mes trupave tanë, por profesori kishte shpëtuar. Një shoqëruesi tij shtrëngonte dorën e gjakosur. Mesa duket xhami kishte goditur atë. U futëm në sallën e elektrizuar nga thirrjet e simpatizantëve socialist që prisnin. Të sigurt që ja kishim hedhur SHIK-ut dhe Policisë së Sali Berishës, për të na prishur mitingun dhe për të na masakruar. Por mua në vesh për shumë kohë, më kumbonte një zë: “të masakrohet Servet Pëllumbi…”

-Zoti Braho, çfarë dënimi do t’i jepnit Sali Berishës në qoftë se do ta gjykonit ju për ngjarjet e ’96? 

Ne e hoqëm dënimin kapital me vdekje në ndryshimet që ju bënë Kodit Penal në vitin 1995. Këto ndryshime u orientuan edhe nga Këshilli Evropës si detyrim dhe kusht për të qenë pjesë e tija. Pra dënimi me vdekje u hoq si lloj dënimi, u zbut, por përgjegjësia penale për krimet jo. Në qoftë se unë do ta kisha gjykuar pa u abroguar dënimi me vdekje, do të kisha zbatuar ligjin e kohës. Vetëm dënimin me vdekje. Ky ishte një dënim që ai e meritonte plotësisht,sepse ishte autor i organizimit të dhjetëra vrasjeve nga veriu në jug. A nuk vepron kështu ligji amerikan ne mjaft shtete për kriminelë dhe vrasës . Europa ka toleruar shumë duke zbutur dënimet për krimet e rendë, madje kane dështuar  në këto 30 vjet. Por s’kemi çfarë të bëjmë. Bëni një sondazh se cili është mendimi popullit dhe do ta shikosh si del!!/SOT