Për ditë të tëra, rreth 25,000 banorët e Niscemit, në jug të Siçilisë, kanë jetuar nën frikën e një shembjeje të plotë urbane, pasi një rrëshqitje masive dheu ka shndërruar qytetin në një zonë të rrezikshme. Pas shirave të rrëmbyeshëm të shkaktuar nga Uragani Harry, më 25 janar, një pjesë e tërë e shpatit kodrinor ku shtrihet qyteti u shemb, duke krijuar një humnerë rreth 25 metra të thellë dhe afro 4 kilometra të gjatë. Rrugë të tëra janë shembur, automjete janë shkatërruar dhe segmente të mëdha të infrastrukturës urbane janë përmbytur ose janë zhdukur nën tokën e paqëndrueshme. Dhjetëra shtëpi tani “varen” mbi buzë të shkëmbit, ndërsa toka vazhdon të ulet orë pas ore, duke rritur rrezikun për shembje të reja. Autoritetet kanë evakuuar më shumë se 1,600 persona, ndërsa pjesë të tëra të qendrës historike të qytetit janë futur në zonë të kuqe. Në rrezik janë edhe kisha të shekullit të 17-të, të cilat, sipas ekspertëve, mund të shemben në çdo moment.
“Gjithçka ndodhi brenda pak minutash”, tregon Salvatrice Disca, 70 vjeçe, banore e zonës së evakuuar. “Energjia elektrike u ndërpre dhe pak më vonë policia trokiti në derë. Na thanë të largoheshim menjëherë, të merrnim vetëm gjërat thelbësore. Për ditë të tëra nuk patëm as rroba për të ndërruar.”
Shumica e të evokuarve janë strehuar tek të afërmit, ndërsa të moshuarit janë transferuar në azile pleqsh. Disa familje janë vendosur përkohësisht në hotele të vogla. Jashtë zonës së kuqe, zjarrfikësit kanë ngritur një tendë, ku banorët, të shoqëruar nga ekipet e shpëtimit, lejohen për pak minuta të marrin sendet personale nga shtëpitë e tyre.
Me lejen e autoriteteve, gazeta The Guardian shoqëroi ekipet e zjarrfikësve brenda zonës së ndaluar. Ndër ndërtesat që do të braktisen përgjithmonë është edhe piceria e njohur “A Barunissa”. Pronarja e saj, Benedetta Ragusa, 41 vjeçe, tha se kishte vetëm pak minuta për të shpëtuar pajisjet. “Mbaroi. Humbëm gjithçka”, deklaroi ajo.
Rreziku mbetet i lartë. Javën e kaluar, një ndërtesë trekatëshe u shkëput nga buza e shkëmbit dhe u shemb pasi qëndroi e varur për gjashtë ditë. Rrugët e qytetit janë boshatisur dhe Niscemi i ngjan një qyteti fantazmë. Një tjetër shqetësim serioz është Biblioteka Marsiano, e vendosur në buzë të shkëmbit, e cila rrezikon shembjen. Në bodrumin e saj ndodhen më shumë se 4,000 libra të rrallë, përfshirë botime para vitit 1830 mbi historinë e Siçilisë. Biblioteka ndodhet në një “zonë të zezë”, ku hyrja është e ndaluar edhe për zjarrfikësit, duke e lënë të pasigurt fatin e koleksionit dhe të banorëve përreth.
“Njerëzit janë të traumatizuar”, tha për Guardian Davide Cascio, vullnetar i organizatës Outside. “Për ta, këto shtëpi ishin gjithë jeta e tyre. Ka zemërim dhe dëshpërim, sepse shumë besojnë se kjo katastrofë mund të ishte shmangur.”. Kjo është hera e tretë që Niscemi goditet nga rrëshqitje të mëdha dheu. Zona ishte shembur edhe në vitin 1790, si dhe në 1997, duke detyruar evakuime masive. Pavarësisht historisë, shumë ndërtesa u ndërtuan në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, shpesh pa vlerësime të plota të rrezikut.
Zyra e prokurorit në Gela ka hapur një hetim për neglizhencë. Kryeprokurori Salvatore Vella deklaroi se po shqyrtohen imazhe satelitore dhe do të zhvillohen seanca dëgjimore. “Askush nuk do t’i shpëtojë shqyrtimit”, tha ai. Ekspertët theksojnë se ajo që ndodhi në Niscemi nuk është një rast i izoluar. Sipas Istat, rreth 15% e ndërtimeve të reja në Itali janë pa leje, ndërsa organizata Legambiente raporton mbi 17,000 rrëshqitje të mëdha dheu gjatë një shekulli, me rreth 6,000 viktima.
Profesor Christian Mulder, ekspert i ndryshimeve klimatike në Universitetin e Katanias, paralajmëroi se kombinimi i urbanizimit të pakontrolluar dhe motit ekstrem po e bën situatën të pakthyeshme. “Këto stuhi derdhin brenda orësh reshje sa për një vit të tërë. Detet më të ngrohta po nxisin ngjarje ekstreme si Uragani Harry”.
Vetëm në vitin 2025, Siçilia është goditur nga 45 ngjarje ekstreme moti, ndërsa dëmet nga Uragani Harry vlerësohen në rreth 2 miliardë euro.







