Me 67% të votave të numëruara, kandidati socialist José Seguro kryeson me 63% të votave në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën sot në Portugali.
Rivali i tij i ekstremit të djathtë, André Ventura, raportohet se ka marrë 37% të votave. Të njëjtën panoramë paraqitën edhe dy sondazhe exit poll.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, tre javë më parë, Seguro kishte marrë përqindjen më të lartë të votave me 31%, por pa arritur shumicën absolute të nevojshme për fitore.
Presidenti i Portugalisë gëzon kompetenca të zgjeruara, përfshirë të drejtën për të vendosur veto ndaj ligjeve, për të shpërndarë Parlamentin dhe për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Presidenti i ri do të marrë detyrën më 9 mars, duke pasuar Marcelo Rebelo de Sousa, i cili ka qenë në krye të shtetit që nga viti 2016.







