Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se ndryshimet në Rregullore u bënë me qëllim që opozita e vendit të përjashtohej tërësisht nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij në seancë, Bardhi shtoi se Rregullorja është njëlloj dhe ka të njejtën fuqi për Kuvendit, siç ka për Gjykatën Kushtetuese ligji organik që organizon punën e kësaj gjykate.
“Ashtu siç GJK rregullohet nga ligji organik që detyrohet ta zbatojë, edhe Kuvendi nuk rregullohet me ligj normal por me rregullore që detyrohet ta zbatojnë me përpikmëri.
Shumë nga të drejtat e deputetëve që i kanë të sanksionuara në Kushtetutë, nuk janë të ekzekutueshme pa rregullat e Rregullores së Kuvendit.
Qëllimi ka qenë që opozita të përjashtohet tërësisht nga procesi në Kuvend i procesit të integrimit.
Gjatë legjislaturës së shkuar u ngrit komisioni i posaçëm që kishte të bënte me nismat qytetare, kontrollin parlamentar etj, komision i posaçëm që dështoi të prodhonte produket parlamentar. Opozita nuk mori pjesë sepse e konsideroi si ndërhyrje në organet e drejtësisë. Mazhoranca tenton ta kthejë në institucion të përhershëm”, u shpreh Bardhi.






