Një ide që filloi si një shaka online ka marrë përmasa të papritura në 493 ditë.
Frank Ilett, i njohur si The United Strand, postoi më 5 tetor 2024 një video ku njoftonte se nuk do t’i prekte flokët derisa Manchester United të fitonte pesë ndeshje radhazi.
Në video ai shtoi një sondazh për ndjekësit e tij, duke pyetur se kur mendonin ata se do ta bënte prerjen e radhës: në 2024, 2025 apo 2026. Nga 27,000 përgjigje, 90% thanë 2026. Pas një barazimi 1-1 ndaj West Ham të martën, sfida vazhdon.
Që atëherë, Ilett ka arritur mbi 2.3 milion ndjekës në rrjetet sociale dhe transmetoi në YouTube ndeshjen e fundit, ku në disa momente ishin mbi 100,000 shikues.
Gjatë një interviste për BBC Sport, ai tregoi se koncepti “asnjë fitore, asnjë prerje” kishte filluar si një argëtim për të “shpërndarë pozitivitet” gjatë një periudhe të vështirë për tifozët e United.
“Thjesht doja të sillja pak gëzim për tifozët e Man Utd në këtë periudhë të çuditshme për klubin,” tha Ilett. “Nuk kisha një plan të madh, vetëm entuziazëm dhe një skuadër në formë të dobët. Mendova se do të përfundonte pas tre apo katër muajsh, por nuk ndodhi kështu.”
Sfida ka kthyer flokët e tij në një simbol vizual të vështirësive të klubit, ndërsa videot dhe fotot e Ilett shpërndahen në rrjetet sociale çdo javë, duke kujtuar fansave se sa larg është Manchester United nga formë e duhur.
“Flokët e mi janë një përfaqësim vizual që Man Utd nuk është aty ku duhet, prandaj kuptoj pse klubi nuk ka kontaktuar ende – por shpresoj që me kalimin e kohës dhe rritjen e energjive pozitive, do të ndodhë,” shtoi ai.
Ndërkohë, sfida ka sjellë edhe mundësi financiare. Ilett ka një agjent për kërkesat komerciale dhe ka bashkëpunuar me marka të mëdha mediatike, duke përfituar nga fama e flokëve të tij të gjatë. Ai ka krijuar gjithashtu një kompani për kërkesat mediatike.
Pyetjes se ku do të donte të bënte prerjen finale, Ilett u përgjigj: “Nëse më lejojnë, do të ishte fantastike të bëhej në fushën e Old Trafford nga një nga lojtarët, por do të shohim më afër momentit.”



