Ballina Politika E quajti pasardhës të Bashës/ Salianji i përgjigjet Berishës: PD nuk është...

E quajti pasardhës të Bashës/ Salianji i përgjigjet Berishës: PD nuk është pronë personale, do vijoj takimet për një parti më të hapur

31
0

Ish-deputeti, Ervin Salianji i është përgjigjur kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili e sulmoi sërish sot duke i thënë se është pasardhës i Bashës dhe nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Në videon e postuar në rrjetet sociale ku shfaqet Berisha kur e lavdëronte, Salianji shkruan se Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe se ai nuk ka asnjë nevojë për të provuar lidhjen e tij me partinë.

“Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit,” shkruan Salianji.

Salianji thekson se nuk ka asnjë nevojë të provoj lidhjen e tij me PD, ndërsa kontributin, betejat dhe sakrificat e tij i ka si pak kush në PD dhe të njohura për çdo demokrat.

Ai shton se qytetarët sot nuk pyesin kush përjashton kë, por pse opozita nuk fiton, pse nuk frymëzon dhe pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse.

“Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që konsumon energjinë në përplasje të brendshme. Ka nevojë për hapje, për riorganizim dhe për lidership që bashkon, jo që ngushton,” shprehet Salianji.

Ish-deputeti paralajmëron se do të vazhdojë takimet me demokratët dhe do të paraqesë një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese.