Trajneri spanjoll Xabi Alonso ka refuzuar menjëherë ofertën për të marrë drejtimin e Olympique de Marseille, duke e konsideruar situatën në klub si “tepër kaotike”. Sipas raportimeve nga RMC Sport, 44-vjeçari nuk ka dashur të përfshihet në një ambient të paqëndrueshëm drejtues, vetëm pak javë pasi u shkarkua nga Real Madrid pas shtatë muajsh në stol.
Marseille po kërkonte trajner të ri pas largimit të Roberto De Zerbi dhe kaosit të brendshëm që pasoi.
Drejtori sportiv Mehdi Benatia dha dorëheqjen, përpara se ta tërhiqte atë pas ndërhyrjes së pronarit Frank McCourt, i cili madje reduktoi kompetencat e presidentit Pablo Longoria. Kjo periudhë e turbullt duket se ka bindur Alonson të presë një projekt më të qëndrueshëm afatgjatë.
Ndërkohë, emri i ish-mesfushorit të Liverpool lidhet vazhdimisht me një rikthim të mundshëm në “Anfield”, mes spekulimeve për të ardhmen e trajnerit aktual Arne Slot. Pas refuzimit të Alonsos, Marseille ka emëruar si trajner ish-mbrojtësin e Newcastle United, Habib Beye, duke shpresuar të stabilizojë sezonin ndërsa klubi lufton për një vend në Ligën e Kampionëve dhe vazhdon garën në Kupën e Francës.







