Ballina Politika Seancë plenare në Kuvend/ Interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe shqyrtim i...

Seancë plenare në Kuvend/ Interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe shqyrtim i disa projektligjeve të rëndësishme

66
0

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare, e cila parashikon një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri lidhur me projektin e Parkut Virtual Teknologjik “Durana”.

Në rend dite është përfshirë edhe projektligji “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, projektligjin për ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, si dhe një shtesë në ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”.

Në agjendë janë edhe projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar”, projektligji “Për statusin e minatorit”, si dhe projektligji “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”, të cilat do të shqyrtohen sipas procedurës me shumicë të thjeshtë votash.

Pjesë e rendit të ditës është edhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, ndërsa në vijim pritet shqyrtimi i disa projektvendimeve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Seanca do të mbyllet me shqyrtimin e projektvendimit “Për miratimin e planit vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022–2026”.