Një ambient i fshehtë, i përshtatur si tunel për kultivimin e bimëve narkotike, është zbuluar në lagjen “10 Korriku” në Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët 9”. Gjatë aksionit, Policia ka vënë në pranga dy persona të kapur në flagrancë brenda ambientit, ndërsa është arrestuar edhe një punonjës i OSHEE-së dhe janë proceduar penalisht tre të tjerë për shpërdorim detyre.
Nga kontrollet u sekuestruan 670 fidanë dhe bimë të dyshuara kanabisi, si dhe 254 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, të furnizuara përmes lidhjesh të paligjshme të energjisë elektrike.
Njoftimi:
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, strukturat e specializuara të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjen dhe përpunimin e tyre për shitje.
Si rezultat, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 9”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 paisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.







