Ballina Aktualitet Spahia në Baks-Rrjoll: Bashkia Shkodër ka dhënë ‘po’ për resortin, banorëve u...

Spahia në Baks-Rrjoll: Bashkia Shkodër ka dhënë ‘po’ për resortin, banorëve u është fshehur e vërteta

83
0

Debati për ndërtimin e resortit turistik në zonën e Baks–Rrjollit ka marrë një tjetër kthesë, pasi deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka bërë publikisht një shkresë që sipas tij provon përfshirjen direkte të Bashkia Shkodër në këtë proces.

Në një takim me banorët protestues të zonës, Spahia deklaroi se dokumenti është marrë në mënyrë konfidenciale, duke pretenduar se ai është mbajtur i fshehtë nga autoritetet vendore.

“Tani, kjo shkresë këtu është e Bashkisë së Shkodrës, që e kam marrë në mënyrë konfidenciale sepse i fshehin. Dhe ka dhënë OK-in këtu Bashkia e Shkodrës.

Të dalin ta pohojnë, dhe mos thonë nuk kemi asnjë dijeni, s’kemi asnjë dokument, s’kemi asnjë dorë në këtë ngjarje.

Ata munden me jua thënë njerëzve të tjerë këtë variant, jo ne që po protestojmë,” – u shpreh Spahia para banorëve.

Sipas deputetit demokrat, pretendimet e mëparshme se Bashkia nuk ka pasur asnjë kompetencë apo informacion për projektin bien poshtë nga përmbajtja e kësaj shkrese, e cila mban miratimin institucional për vijimin e procedurave.

Spahia akuzoi drejtuesit vendorë për përpjekje për të shmangur përgjegjësinë publike, duke deklaruar se qytetarëve u është servirur një version që nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar.