Ballina Ekonomia ‘Boom’ ndërtimi në errësirë: Rama fsheh miliona m2 leje, Shqipëria kantier pa...

‘Boom’ ndërtimi në errësirë: Rama fsheh miliona m2 leje, Shqipëria kantier pa transparencë

72
0

Ndërkohë që vendi po përmbytet nga betonizimi, vijojnë të mbeten mister lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), institucioni kryesor që miraton projektet më të mëdha në vend – nga qiellgërvishtësit në kryeqytet deri te resortet luksoze në bregdet.

Prej gati një viti nuk ka asnjë informacion të plotë mbi përmasat reale të lejeve të ndërtimit në Shqipëri, në një kohë kur i gjithë territori është shndërruar në kantier ndërtimi. Mungesa e transparencës nuk është më thjesht neglizhencë administrative – por një zgjedhje politike.

Sipas INSTAT, vetëm bashkitë kanë dhënë 1.3 milionë metra katrorë leje ndërtimi gjatë vitit 2025. Në vitin 2024, në total u dhanë 2.4 milionë metra katrorë leje, nga të cilat 1.95 milionë metra katrorë vetëm në Tiranë. Por për vitin 2025 mungojnë të dhënat për kryeqytetin dhe, më e rëndësishmja, nuk përfshihen lejet e dhëna nga KKTU. Pra, askush nuk e di sa është realisht sipërfaqja totale e betonizuar me miratim qeveritar.

Botimi i statistikave aktualisht mbështetet vetëm në raportimet e bashkive, ndonëse VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, parashikon përfshirjen edhe të institucioneve të tjera në procesin e miratimit dhe raportimit të lejeve. Fakti që këto ente nuk raportojnë në mënyrë të unifikuar pranë INSTAT-it nxjerr në pah një problem serioz: mungesën e një sistemi transparent dhe të detyrueshëm llogaridhënieje.

Vetë INSTAT pranon se të dhënat e tremujorit të katërt 2025 nuk mund të krahasohen me ato të një viti më parë, për shkak të ndryshimit në metodologji dhe mungesës së raportimeve të plota. Me fjalë të tjera, qeveria nuk është në gjendje – ose nuk dëshiron – të ofrojë një panoramë të qartë të asaj që po ndërtohet dhe sa po ndërtohet.

Sipas të dhënave të disponueshme për tremujorin e katërt 2025:

259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja;

340.477 m² sipërfaqe totale ndërtimi;

19.4 miliardë lekë vlerë projektesh;

200 leje për banim (237.132 m²);

59 leje për ndërtesa jo-rezidente (103.345 m²).

Gjatë gjithë vitit 2025:

1.158 leje ndërtimi për ndërtesa të reja;

1.304.606 m² sipërfaqe totale;

73.9 miliardë lekë vlerë e përafërt;

890 leje banimi (844.791 m²);

268 leje për ndërtesa jo-rezidente (459.815 m²).

Por këto shifra janë vetëm gjysma e së vërtetës. INSTAT nuk ka publikuar as sipërfaqen e lejeve të dhëna në Tiranë për tremujorin e fundit, ndryshe nga raportimet e mëparshme. Në tremujorin e tretë, bashkitë kishin dhënë 350.6 mijë m², nga të cilat 252 mijë m² vetëm në Tiranë. Tani, ky informacion mungon.

Askush nuk e di sa leje ka dhënë KKTU

Në tremujorin e fundit të vitit 2025 janë zhvilluar disa mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të paktën dy prej tyre në tetor, sipas kalendarit zyrtar. Megjithatë, vendimet konkrete dhe sipërfaqet e miratuara nuk janë bërë publike në mënyrë të plotë dhe të konsoliduar.

Kjo heshtje institucionale ngre pikëpyetje të forta për transparencën e qeverisë së Edi Rama. Kur vendi po përjeton një bum ndërtimi pa precedent, mungesa e të dhënave të plota nuk është thjesht çështje teknike – është çështje përgjegjësie publike.

Pa transparencë mbi lejet e KKTU-së, pa raportim të unifikuar dhe pa krahasueshmëri statistikore, qytetarët nuk kanë asnjë mundësi të kuptojnë përmasat reale të transformimit urban që po ndodh. Shqipëria po ndërtohet me ritme rekord, por në mungesë totale qartësie. Dhe kur informacioni mbahet i fragmentuar ose i vonuar, lind dyshimi se errësira nuk është rastësi, por strategji.