Ballina Politika Rama i ngujuar tek Vila 31 pas takimit me ministrat e Ballukut,...

Rama i ngujuar tek Vila 31 pas takimit me ministrat e Ballukut, i shkon edhe Linda

103
0

Rreth mesditës, Linda Rama është parë duke hyrë në Vilën 31 në Tiranë, duke shoqëruar kryeministrin Edi Rama.

Nga mbledhja e Qeverisë mëngjesin e sotëm, Rama u nis drejt vilës 31, në Tiranë, përballë kryesisë së Kuvendit duke shmangur llogaridhënien për shkarkimet dhe rrokadën e ministrave për të cilat Rama nuk ka bërë transparencë pse mori këtë vendim.

Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu munguan në mbledhjen e sotme të qeverisë edhe pse ata janë sërish në detyrë deri në momentin që do votohen ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Ende nuk ka informacion për ndonjë takim  zyrtar apo informal – të kryeministrit Rama tek vila 31.

Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, çka do t’i hapte rrugë SPAK për arrestimin e saj. Zyrtarë të BE-së i kanë thënë Reuters se po e ndjekin nga afër mënyrën se si Rama po i trajton çështjet e korrupsionit dhe se lufta e vendit kundër krimit dhe korrupsionit është thelbësore për përpjekjen e vendit ballkanik për t’u anëtarësuar në bllok deri në vitin 2030.

Ndryshimet

Ajo që ra në sy ishin emërimi në poste ministrash e njerëzve të Ballukut.

Balluku do të zëvendësohet në kabinet nga Albana Koçiu në postin e zv.kryeministres, ndërkohë që portofoli i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës do të kontrollohet nga Enea Karakaçi, një vartës i Ballukut dhe së fundmi drejtor i OSHEE.

Karakaci është kontigjent i SPAK pasi në cilësinë e drejtorit të OSHE i janë bërë kontrolle dhe sekuestruar telefonat nga BKH-ja.

Ermal Nasufi është një tjetër besnik i Belinda Ballukut që ka marrë postin që mbante Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes.

Nasufi ka qenë ndër drejtorët kryesorë në ministrinë e Ballukut dhe përflitet gjithashu për afera korruptive dhe kontigjent i SPAK. Pra një karshillëk i hapur ndaj drejtësisë.

Po ashtu edhe njeriu që ka zëvendësuar Spiropalin rezulton në mënyrë të tërthotë i përfshirë në në afera korruptive. Fjala është për Feti Hoxhën, i emëruar Ministër i Jashtëm.

Vëllai i Ferit Hoxhës, Gëzim Hoxha rezulton i përfshirë në dosjen e AKSHI-t dhe në skemën e parkut fiktiv DURANA në Xhafzotaj. Sipas hetimeve, Gëzim Hoxha dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro nga tenderë sekretë të qeverisë, përmes kompanisë “First”, e cila del e përmendur në disa fashikuj të SPAK-ut.

Ajo që përflitet nëpër koridoret e rilindjes është edhe shkarkimi “pa shkak” i Elisa Spiropalit, gjë që në radhët e socialistëve përflitet se i është vënë kusht Edi Ramës nga Belinda Balluku.