Ballina Kulturë Artistët e Vatikanit që kujdesen për mozaikët e Shën Pjetrit

Artistët e Vatikanit që kujdesen për mozaikët e Shën Pjetrit

72
0

“Punuam për rreth 150 ditë për të përfunduar punimin dhe patëm rastin e veçantë t’ia paraqisnim mozaikun Papa Leonit XIV, përpara se ta aplikonim brenda Bazilikës së Shën Palit. Kështu arritëm t’ia tregonim dhe krijuam përshtypjen se ai ishte shumë i lumtur me rezultatin”, shprehet për agjencinë e lajmeve Reuters drejtori i Studios së Mozaikut në Vatikan, Paolo Di Buono.

Imazhi, i realizuar nga një ekip prej tre personash gjatë pesë muajve, përmban rreth 16 mijë pllaka individuale. Për të riprodhuar sa më mirë hijet e lëkurës së Papës, artistët iu drejtuan arkivit të tyre historik, një katalog me rreth 27 mijë lloje pllakash me ngjyra, të ruajtura në një dollap me 9 mijë sirtarë që shtrihet në dy kate.

Brenda mureve të Qytetit të Vatikanit, që nga fundi i viteve 1500, një punishte e vogël artizanësh të trajnuar është kujdesur për qindra mozaikë që dekorojnë brendësinë e Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërkohë që ka krijuar edhe kryevepra të reja.

Krijimi i një mozaiku të vetëm mund të zgjasë me muaj, pasi 12 artistët e stafit në Studion e Mozaikëve të Vatikanit vendosin me kujdes pllakat e vogla me ngjyra në vepra fetare, si përshkrime të Jezusit dhe Marisë, por edhe në subjekte jofetare, si pamje të Koloseut të Romës.

“Një tjetër punë e rëndësishme e studios është krijimi i mozaikëve që përdoren si dhurata nga Papa në raste të caktuara. Kjo është një veprimtari shumë e rëndësishme për ne, sepse për çdo rast Papa mund të vendosë se çfarë do të dhurojë apo ofrojë”, thotë Di Buono.

“Është një punë shumë e kujdesshme, sepse pllakat janë të vogla dhe ne duhet ta rindërtojmë origjinalin me besnikëri. Është një proces i gjatë që kërkon shumë durim, por është edhe shumë shpërblyes”, tha Nicoletta Marino, artiste e studios së mozaikut.

Një nga prodhimet më të fundit të studios ishte një portret i Papa Leonit, 1.2 metra i lartë, i cili u instalua në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve në Romë, në përputhje me një traditë që daton që nga shekulli i 19-të.

“Në fillim të shekullit të 19-të, Bazilika e Shën Palit u shkatërrua pothuajse plotësisht nga një zjarr i madh. Pas zjarrit, Papa Piu IX vendosi që të gjitha portretet e Papëve të realizoheshin me teknikën e mozaikut”, shpjegon Paolo Di Buono, drejtor i studios së mozaikut në Vatikan.

Ndryshe nga fotografitë apo imazhet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale, mozaikët e prodhuar në këtë punishte nuk krijohen lehtë.

“Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse është krejtësisht ndryshe nga koha jonë bashkëkohore, ku mund të bësh çdo lloj fotografie me një smartphone brenda pak sekondash. Rrezikojmë të humbasim këtë lloj mjeshtërie. Teknika e mozaikut është pikërisht e kundërta: është diçka e krijuar për t’u rezistuar shekujve”.

Studioja realizon gjithashtu mozaikë më të vegjël që papët i përdorin për një lloj “diplomacie”, duke ua dhuruar udhëheqësve të huaj që vizitojnë Vatikanin ose gjatë udhëtimeve të tyre jashtë shtetit. Adriano Galise, një nga artizanët e studios, tregon me krenari fotografi të veprave që ka realizuar, të cilat janë dhuruar nga i ndjeri Papa Benedikti XVI presidentëve amerikanë George W. Bush dhe Barack Obama gjatë vizitave zyrtare në Vatikan.

Rreth 23 mijë prej pllakave përbëjnë rezerva ngjyrash nga shekujt e kaluar, të cilat nuk prodhohen më dhe një ditë mund të shterojnë. Disa prej tyre janë krijuar me materiale helmuese që sot nuk përdoren më.