Ballina Europë Pse pavarësia mbetet ende një vijë ndarëse politike në Skoci

Pse pavarësia mbetet ende një vijë ndarëse politike në Skoci

105
0

Ishte një moment gëzimi për ata që bënë fushatë për vazhdimin e bashkimit politik me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar, por një moment dëshpërimi për ata që mbronin krijimin e shtetit skocez.

Në orët e para të së premtes, më 19 shtator 2014, ne e ndoqëm drejtpërdrejt shpalljen në Glenrothes që e çoi fushatën “Jo” drejt fitores në referendumin për pavarësinë e Skocisë.

Rezultati në Fife, me 45% që votuan “po” dhe 55% që votuan “jo”, pasqyroi tablonë në mbarë Skocinë.

Analisti britanik Glenn Campbell, shkruan se si prezantues i programit të rezultateve të BBC-së, ai atë ditë shpjegoi rëndësinë e këtij rezultati. Referendumi kishte përfunduar.

Por sipas tij, do të ishte gabim mendimi se mbështetja për pavarësinë do të shuhej. Për këtë mjafton ti hidhni një sy kërkimit më të fundit.

Një sondazh online me 2 mijë e 136 persona të moshës 16 vjeç e lart që kanë marrë pjesë, i realizuar nga Savanta për BBC Scotland News, testoi qëndrimet e publikut në periudhën midis 29 janarit dhe 6 shkurtit 2026.

Ndërsa 47% e të anketuarve thanë se do të votonin “po” për pavarësinë, 44% thanë se do të votonin “jo”, ndërsa 8% ishin të pavendosur.

Duke përjashtuar të pavendosurit, kjo përkthehet në 51% për “po” dhe 49% për “jo”.

Sigurisht, ky është një moment fotografik i opinionit (pikëpamjet e një grupi të caktuar njerëzish në një moment të caktuar kohor) por ai përputhet me trendin e sondazheve.

Profesori i politikës Sir John Curtice nga Universiteti i Strathclyde thotë: “Skocia mbetet pak a shumë e ndarë në mes për këtë çështje. Ka qenë në këtë pozicion që nga viti 2019. Rreth kohës kur pati një ngërç parlamentar në Westminster për Brexit-in, që solli një rritje të mbështetjes për pavarësinë, dhe kjo rritje nuk është përmbysur kurrë.”

Ndonjëherë “po”-ja është pak përpara “jo”-së, ndonjëherë ndodh e kundërta. “Po”-ja është zakonisht më e fortë sesa ishte në kohën kur mbahej referendumi aktual.

Lidhja me Brexit-in është interesante. Në sondazhin e BBC-së, 65% ishin në favor të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa 25% preferonin të qëndronin jashtë.

Në Dunfermline, qyteti Fife që ishte kryeqyteti i lashtë i Skocisë dhe vendi i varrimit të Robert the Bruc, gjenden argumente të qarta për pavarësinë në qendrën komunitare Townhill.

Në klasën e artit, Anne Pack tha se njerëzit në Skoci “duhet të jenë në krye të punëve të tyre”.

“Mendoj se ne i bëjmë gjërat ndryshe në Skoci. Kemi një aspekt më social në këndvështrimin tonë për jetën dhe mendoj se duhet ta bëjmë sipas mënyrës sonë.”

Në klasën e jogës në karrige, u argumentua se Skocia është ekonomikisht më e fortë brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe se nuk ka nevojë të rikthehet çështja.

Margaret Gent tha: “Unë nuk do të shkoja drejt pavarësisë. Do të qëndroja. Mendoj se nuk ka nevojë të shpenzohen para për një referendum tjetër. Ata bënë një dhe njerëzit bënë zgjedhjen e tyre.”

Kjo zgjedhje u bë përpara Brexit-it, Covid-it dhe luftës në Ukrainë, zhvillime që të dyja palët i përdorin në mbështetje të argumenteve të tyre.

Studimi i Savanta-s ofron një tjetër këndvështrim, sa përparësi i japin njerëzit rishikimit të marrëdhënies së ardhshme të Skocisë me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar?

Kjo u identifikua si një nga tre prioritetet kryesore nga vetëm 13% (rreth 1 në 8) nga të anketuarit.

Në krahasim, 62% e tyre përmendën koston e jetesës në tre çështjet kryesore. Ajo ishte tema më e nxehtë, përpara shërbimit shëndetësor, ekonomisë dhe migracionit.

Partitë pro-Mbretërisë së Bashkuar (Konservatorët, Laburistët, Liberal Demokratët dhe Reform UK), argumentojnë se qeveria skoceze duhet të përqendrohet në përgjegjësitë që tashmë ka.

Partitë që mbështesin pavarësinë, si SNP dhe të Gjelbrit, argumentojnë se kompetencat shtesë që vijnë me shtetësinë do ta pajisnin më mirë Skocinë për t’u përballur me sfidat që ka.

Cilado qoftë atmosfera mbizotëruese, duket se ka pak gjasa për një referendum tjetër në të ardhmen e afërt.

Kjo ka qenë situata që kur Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi se çdo votim i mëtejshëm do të kërkonte miratimin e qeverisë së MB-së, e cila në formën e saj aktuale duket e vendosur të përdorë të drejtën e vetos.

SNP argumenton se nëse mund të fitojë shumicën e vendeve në Holyrood në zgjedhjet e këtij viti, ajo kundërshti do të binte, siç ndodhi kur partia arriti këtë rezultat në vitin 2011.

Disa paralajmërime: atëherë SNP ishte më popullore se tani, bota dukej më e qëndrueshme dhe publikut nuk i ishte dhënë kurrë mundësia të shprehej në një referendum.

Megjithatë, nëse një shumicë absolute vendesh për një parti pro-pavarësisë nuk do të mjaftonte për të siguruar një referendum tjetër, do të ishte e arsyeshme të shtrohej pyetja: “Çfarë do të mjaftonte?”

Çështja e pavarësisë do të përshkojë fushatën e SNP-së, pjesërisht në përpjekje për të rindërtuar koalicionin e mbështetjes që e ka mbajtur në pushtet për shumë vite.

Ajo dëshiron të rifitojë votuesit pro-pavarësisë që janë larguar dhe, në disa raste, kanë kaluar te Laburistët në zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Pavarësia është dukshëm më popullore sesa vetë SNP.

Sa herë që ideja promovohet në javët në vijim, do të krijohet një mundësi për ata në anën pro-bashkimit që të shprehin kundërshtimin e tyre me shpresën për të mobilizuar mbështetjen e tyre.

Pavarësia nuk duket aq çështje e fuqishme në vitin 2026 sa ka qenë në fushatat e mëparshme zgjedhore për Holyrood, por ajo mbetet një motivues i rëndësishëm për disa votues, si pro, ashtu edhe kundër që Skocia të ecë e vetme.