Skandali i zhdukjes së shisheve të shtrenjta të verës që u zbuluan në një qilar në një resort në pronësi të Ergys Agasit po hetohet nga SPAK.
SPAK ka pranuar dosjen që iu përcoll për kompetencë nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka arritur në konkluzionin se vera është produkt i veprimtarisë kriminale ku është përfshirë Agasi.
Vera u sekuestrua nga SPAK në kuadër të kontrolleve që u kryen në pronat e Ergys Agasit, kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin si të dyshuar si krerët e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenëve dhe i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Malli i sekuestruar iu la në ruajtje kushëririt të të shumëkërkuarit, por kur të nesërmen autoritetet doganore shkuan për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se vera ishte zhdukur.
Kushëriri i Agasit, po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për veprime që pengojë zbardhje e së vërtetës, pasi nuk tregon se ku i dërgoi shishet e verës.
Sipas aktit të ekspertimit, rezulton që vlera të jetë 1.4 mln euro, por kjo vlerë e verës rritet me të paktën dyfish nëse do të shitej me shishe.
Ergys Agasi, është në kërkim ndërkombëtar bashkë me Ermal Beqirin, për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë e grupit kriminal.
SPAK po i heton nën dyshimet se urdhëruan rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe dhe e detyruan të tërhiqte ankesat për tenderat e AKSHI-t.
Nën masën e arrestit në shtëpi janë ish-drejtoresha e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa masa ma të lehta janë firmosur ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie.







