Publicistja Elida Buçpapaj ka reaguar me një deklaratë publike drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Në reagimin e saj, Buçpapaj thekson se populli i Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e tij në zgjedhje, duke i dhënë mbi 51% të votave shumicës për krijimin e institucioneve të shtetit. Sipas saj, verdikti i sovranit është “kushtetues dhe suprem” dhe duhet të respektohet nga të gjitha palët politike.
Ajo argumenton se zgjedhja e presidentit kërkonte kuorum dhe pjesëmarrjen e opozitës, ndërsa shumica parlamentare kishte votat e nevojshme për të zgjedhur kreun e shtetit. Sipas Buçpapajt, moszgjedhja e presidentit erdhi si pasojë e “mospërgjegjshmërisë kushtetuese të opozitës”.
Publicistja ndalet edhe te vendimi i presidentes për shpalljen e amendamenteve të miratuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2011, duke pyetur pse ato nuk u shpallën më herët gjatë mandatit të saj pesëvjeçar.
Ajo ngriti gjithashtu pyetjen pse vetë Osmani nuk kandidoi për presidente, duke përmendur mbështetjen e saj për kandidatin Glauk Konjufca dhe kontaktet e krijuara me partitë e tjera, përfshirë edhe mbështetjen që, sipas saj, ka ardhur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.







