Ballina Sport Idhulli i tifozëve, Modriç fiton Milan-in, “Djalli” tenton Moise Kean

Idhulli i tifozëve, Modriç fiton Milan-in, “Djalli” tenton Moise Kean

53
0

Te Milani, vëmendja është e ndarë mes të tashmes dhe planeve për sezonin e ardhshëm. Protagonist i ditëve të fundit është Luka Modriç, i cili ka bërë një gjest të veçantë për klubin kuqezi. Mesfushori kroat ka dërguar në Casa Milan “Topin e Artë” që fitoi në vitin 2018, trofe që do të ekspozohet në muzeun e klubit deri në fund të sezonit, për t’u parë nga tifozët.

Ky gjest është parë si një tjetër shenjë e lidhjes së fortë që Modriç ka krijuar me ambientin kuqezi. Përvoja dhe lidershipi i tij kanë qenë të rëndësishme për skuadrën, ndaj trajneri Massimiliano Allegri dhe drejtuesit e klubit shpresojnë që mesfushori kroat të pranojë zgjatjen e kontratës edhe për një sezon tjetër. Vendimi për të ardhmen pritet të merret përpara Kupës së Botës për Klube. “Milan dashuria ime”, është titulli kryesor ditën e sotme i “La Gazzetta dello Sport”, që përforcon edhe njëherë tjetër lidhjen e fortë të krijuar mes kroatit dhe klubit kuqezi, pavarësisht kohës së shkurtër.

Ndërkohë, në repartin ofensiv situata mbetet e hapur. Santiago Gimenez do të ketë rreth dhjetë ndeshje në dispozicion për të bindur trajnerin Allegri se meriton të jetë pjesë e projektit të sezonit të ardhshëm. Milani ka nevojë për më shumë gola, pasi aktualisht golashënuesi më i mirë i skuadrës është Rafael Leao me vetëm nëntë realizime.

Në rast se sulmuesi meksikan nuk arrin të japë përgjigjet e duhura, kuqezinjtë pritet të ndërhyjnë sërish në merkato për të afruar një numër 9 të besueshëm. Aktualisht vetëm Leao dhe Christian Pulisic konsiderohen të sigurt në repartin ofensiv, ndërsa lojtarë si Nkunku dhe Fullkrug duhet të fitojnë konfirmimin.

Sa i përket përforcimeve, objektivi kryesor mbetet Moise Kean i Fiorentinës, edhe pse klauzola prej 62 milionë eurosh mund të negociohet. Në listën e alternativave janë gjithashtu Nicolas Jackson, Gabriel Jesus, Mateo Retegui dhe Serhou Guirassy. Ndërsa pista që çon te Dusan Vlahovic duket shumë e vështirë, pasi sulmuesi serb është në bisedime me Juventus për rinovimin e kontratës.