Ballina Aktualitet Nga kazinotë te spitalet: Luneda Sufali rikthehet për të “kontrolluar fatin” e...

Nga kazinotë te spitalet: Luneda Sufali rikthehet për të “kontrolluar fatin” e licencave të spitaleve private

92
0

E mbani mend debatin mes Fatmir Xhafajt dhe ish-drejtoreshës së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali? Ishte ai moment kur, pas një pyetjeje të deputetit socialist, Sufali iu përgjigj me një frazë që mbeti gjatë në kujtesën e publikut:
“Po kush jam unë, pastruesja?”

Një replikë që u bë simbol i mënyrës si funksionon shpesh administrata: me shumë vetëbesim dhe pak përgjegjësi.

Sot, vite më vonë, zonja Sufali është rikthyer në një rol tjetër po aq “delikat”. Pas eksperiencës me lojërat e fatit, ajo është ngarkuar nga kryeministri me një detyrë të re: kontrollin e licencimit të spitaleve private.

Po, pikërisht të atyre spitaleve për të cilat muajt e fundit kanë qarkulluar akuza serioze — edhe pse jo hetime — se kanë punësuar mjekë të cilëve në vende të tjera, si në Itali, u është hequr licenca e ushtrimit të profesionit.

Pra, nga tavolinat e pokerit dhe ruleta e kazinove, në korridoret e klinikave private.

Natyrisht, zonja Sufali garanton se gjithçka do të jetë nën kontroll. Sipas saj:

“Gjatë vitit 2026 do të jepet prioritet inspektimeve për plotësimin e standardeve bazë të institucioneve të kujdesit shëndetësor jopublik dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror publik e jopublik, si pjesë e fazës fillestare të procesit të akreditimit të këtyre institucioneve.”

Një deklaratë që tingëllon shumë serioze. Pothuajse teknike. Me standarde, inspektime dhe procese akreditimi.

Pyetja është vetëm një:
A mund të besohet një premtim i tillë?

Ndoshta po.

Të paktën nga ata që dikur besuan edhe një tjetër premtim shumë të madh:
se lojërat e fatit në Shqipëri do të mbylleshin./vna