Mesfushori uruguaian i Real Madrid, Federico Valverde, ishte protagonisti absolut në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ës së finales në Ligws sw Kampionwve duke udhëhequr skuadrën madrilene drejt një fitoreje bindëse ndaj Manchester Cityt.
Valverde realizoi një tregolësh të shkëlqyer dhe ishte lojtari më i mirë në fushë, duke e lënë Realin shumë pranë kualifikimit për në çerekfinale para ndeshjes së kthimit në Etihad.
Pas ndeshjes, uruguaiani nuk e fshehu emocionin për paraqitjen e tij të jashtëzakonshme. “E pabesueshme. Ëndërron netë si kjo. Dua të falënderoj shokët e ekipit që më japin besim dhe inkurajim, stafin e trajnerëve dhe tifozët që na mbështesin në një sezon të vështirë”, deklaroi ai. Valverde shtoi se kjo ishte një nga paraqitjet më të mira të karrierës së tij: “Ishte një nga ndeshjet më të mira të karrierës sime. E shijova shumë sot; ka kaluar ca kohë që nuk e shijoja kaq shumë një ndeshje”.
Skuadra madrilene dominoi pjesën më të madhe të takimit, edhe pse në fillim të ndeshjes rrezikoi nga sulmet e shpejta të Jérémy Doku. Valverde zbuloi se ekipi ishte përgatitur mirë për presionin e kundërshtarit dhe se kjo u reflektua në lojën e tyre. “Kishim ushtruar shumë mënyrën se si ata bëjnë presion me goditjet e portës. Kishte hapësirë dhe ne ishim të shpejtë, kështu që funksionoi mirë”, u shpreh ai, duke theksuar se trajneri kërkon që ai të sulmojë më shpesh nga thellësia dhe të hyjë në zonë.
Mesfushori theksoi gjithashtu rëndësinë e unitetit në skuadër, duke e cilësuar këtë fitore si një shtysë të madhe morale për ekipin. “Duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin si vëllezër dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Mund ta shihni që grupi është i bashkuar dhe kështu mund të luftojmë për gjëra të mëdha”, tha ai, duke paralajmëruar se ndeshja e kthimit në Mançester do të jetë shumë e vështirë dhe se skuadra duhet ta trajtojë atë sikur rezultati të ishte ende 0-0.







