Ballina Kulturë “Gjarpri martohet me vajzën e mbretit” – romani për fëmijë i Anton...

“Gjarpri martohet me vajzën e mbretit” – romani për fëmijë i Anton Berishës

63
0

Shtëpia botuese “Beqir Musliu” nga Gjilani sapo e ka nxjerrë nga shtypi romanin më të ri për fëmijë “Gjarpri martohet me vajzën e mbretit”, të shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur, Anton Nikë Berisha.

Ky roman është një rrëfim për dashurinë dhe besnikërinë, i ndërtuar mbi motive të traditës së pasur të letërsisë gojore shqiptare, të cilat autori i ka rimenduar dhe i ka shtjelluar në një gjuhë dhe formë të re letare.

Në parathënien e këtij romani, shkrimtari Ibrahim Kadriu, thekson se autori Anton Nikë Berisha, duke ndjekur shembullin e shumë shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore, e ka shfrytëzuar përrallën si krijim i veçantë popullor, për ta ndërtuar një vepër origjinale.

“Shfrytëzimi i përrallës për ta formësuar romanin i ka dhënë mundësi autorit ta ketë lirinë e plotë në ndërtimin e rrëfimit dhe në tipizimin e personazheve, që dalin të skalitur për mrekulli e që do të mbahen mend gjatë”, ka shkruar Kadriu.

Kadriu më tej ka shkruar se, me këtë vepër, autori Berisha dëshmon edhe një herë përvojën e tij të pasur krijuese, duke u shfaqur si një nga autorët më të spikatur të prozës shqiptare.

Në këtë roman, përmes një rrëfimi të lidhur mbi një ngjarje konkrete, personazhet mësojnë se dashuria e vërtetë kërkon përkushtim, guxim dhe besnikëri. Në këtë mënyrë, vepra përcjell një mesazh të fuqishëm moral për lexuesit e rinj: se dashuria dhe besimi mund të ngadhënjejnë mbi çdo pengesë.

Anton Nikë Berisha është autor i një vargu veprash të rëndësishme letrare dhe studimore. Në fushën e prozës ai ka botuar shumë romane e tregime, ndër të tjera romanet: “Gjin Bardhela i Arbëresh – Etja e Gurëzuar”, “E Bukura e Dheut”, “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…”, vepra që kanë pasuruar prozën shqiptare dhe kanë zgjuar interes të veçantë te lexuesit dhe studiuesit e letërsisë. Anton Nikë Berisha është laureat i shumë çmimeve letrare, ndër to edhe i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”.