Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është marrë peng nga mazhoranca qeverisëse, e cila sipas saj nuk po tregon vullnet real për të zbatuar reformat që kërkon Bashkimi Europian.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq vendimtar dhe se vendi ka nevojë për vullnet politik jo vetëm për miratimin e ligjeve, por mbi të gjitha për zbatimin e tyre në praktikë. Sipas saj, integrimi nuk është një listë ligjesh në letër, por një proces që kërkon standarde reale dhe transformim të institucioneve.
Deputetja theksoi se në një moment kur Shqipëria duhet të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në konkurrencën e ndershme në ekonomi, meritokracinë dhe transparencën në prokurimet publike, vendi po dështon pikërisht në zbatimin e këtyre standardeve që lidhen me grupkapitullin e parë të negociatave me BE.
Tabaku kritikoi gjithashtu përdorimin e luftës kundër korrupsionit si retorikë politike, duke theksuar se kur hetimet afrohen pranë qeverisë, sipas saj, ato ndalohen përmes ndërhyrjeve politike. Ajo përmendi si shembuj ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe votën e fundit në parlament që, sipas saj, synon t’u japë mburojë politike zyrtarëve të përfshirë në korrupsion.
“Evropës nuk mund t’i kërkojmë fondet dhe të refuzojmë vlerat e saj. Nuk mund të kërkojmë projekte dhe të mos zbatojmë standardet që ato kërkojnë,” u shpreh Tabaku.
Në përfundim, ajo theksoi se për herë të disatë në këto 12 vite procesi i integrimit është bllokuar dhe se përgjegjësia, sipas saj, bie mbi mazhorancën socialiste që qeveris vendin.







