Administrata Tatimore ka paralajmëruar rritje të kontrollit mbi transaksionet me kuota dhe aksione të realizuara gjatë vitit 2025, duke njoftuar se janë identifikuar rreth 2,500 raste shitjeje ose dhurimi të pjesëmarrjeve në shoqëri tregtare që do të jenë objekt verifikimi gjatë vitit 2026.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Tatimet u kanë bërë thirrje tatimpaguesve që të deklarojnë saktë të ardhurat e përfituara nga këto transaksione në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025, duke theksuar se vlera e raportuar duhet të reflektojë vlerën reale të tregut dhe jo një vlerë formale apo simbolike.
Sipas administratës tatimore, deklarimi i saktë i këtyre transaksioneve është thelbësor për të shmangur penalitetet dhe për të parandaluar rastet kur autoritetet fiskale mund të rivlerësojnë transaksionet nëse dyshohet se çmimi i deklaruar nuk përputhet me vlerën reale ekonomike të aksioneve apo kuotave të transferuara.
Tatimet bëjnë të ditur se gjatë vitit 2026 këto raste do të analizohen nga strukturat e specializuara të Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtorisë së Kontrollit të Specializuar, të cilat do të shqyrtojnë nëse deklarimet janë bërë në përputhje me legjislacionin tatimor dhe nëse transaksionet reflektojnë çmime reale tregu.
Fokusi i administratës fiskale lidhet me faktin se në disa raste shitja ose dhurimi i kuotave dhe aksioneve mund të deklarohet me vlera shumë më të ulëta nga vlera reale e tregut, duke reduktuar artificialisht detyrimet tatimore që rrjedhin nga fitimi kapital.
Për këtë arsye, Tatimet u bëjnë apel individëve dhe subjekteve që kanë realizuar transaksione të tilla gjatë vitit 2025 të plotësojnë me kujdes deklaratën DIVA, duke pasqyruar saktë të ardhurat e krijuara nga transferimi i pjesëmarrjeve në shoqëri.







