Deputetja socialiste Zegjine Çaushi duket se ka zbuluar një rrugë të re për integrimin europian të Shqipërisë që kalon fillimisht nga Azia dhe Afrika.
Në një postim në Facebook, ajo njofton me seriozitet për një ditë pune në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutuan disa akte, përfshirë Traktatin e Singaporit, atë të Nairobit dhe një marrëveshje me Turqinë. Deri këtu, një rutinë klasike parlamentare.
Por “gafën perlë” e ruan në fund të postimit ku shkruhet: “Një hap tjetër drejt një Shqipërie më moderne dhe më pranë Europës”.
Sipas kësaj logjike të re gjeopolitike të Zegjine Çaushit, për të shkuar në Bashkimi Europian, më parë duhet të bësh një xhiro nga Singapori, të ndalosh në Nairobi dhe të marrësh rrugën përmes Turqisë – një vend që vetë ka dekada që endet në korridoret e Brukselit pa hyrë dot.
Ndjekësit kanë nisur të bëjnë batuta
“Sa herë të shoh ty kujtohem që kot kam bërë shkollën”, shkruan një komentues.
Një tjetër është më i drejtpërdrejtë: “Na trego pak, ku bie Europa në këtë hartë që po përdor ti?”
Një tjetër po aq ironik, e korrigjon: “Turqinë Europa nuk e pranon qysh moti. Singapori dhe Nairobi nuk janë në Europë. Më intereson me e ditë se çfarë logjike ka të ban me traktatat dhe me “hapin” drejt Europës?”
Ndërsa patronazhistët socialistë kanë vrapuar të duartrokasin postimin.
Shakaja shpesh është gjysma e së vërtetës. Duket se navigatori i socialistëve të Ramës është prishur dhe rruga kalon nga tre kontinente, por jo domosdoshmërisht nga Brukseli.








