Ballina Aktualitet Qeveria gjen zgjidhje për krizën e naftës, shton dy taksa të reja

Qeveria gjen zgjidhje për krizën e naftës, shton dy taksa të reja

105
0

Në vend që të lehtësojë barrën e rëndë fiskale mbi karburantet, qeveria njoftoi se do të shtojë dy tarifa të reja mbi çmimin e naftës dhe benzinës. Këto janë tarifa e gjurmimit si dhe ajo për krijimin e rezervës kombëtare të sigurisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjurmimi i karburanteve do t’i jepet si ekskluzivitet Albtrace, një kompani e përbashkët mes shtetit dhe arabëve.

“Ne kemi krijuar një kompani të re publike, në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, me kompaninë e tyre të të njëjtit objektiv, e cila quhet AlbTreis. Ajo është një kompani publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji dhe së shpejti Albtreis do hyjë në treg me dy produktet veta të para, që kanë të bëjnë me gjurmimin dhe ndjekjen e naftës,” tha Edi Rama.

Sipas tij, gjurmimi do të përdoret kryesisht për tranzitin e karburantit, duke eliminuar që nafta e cila deklarohet për rieksport të shitet në tregun vendas.

“Ky produkt i ri është absolutisht i pakapshëm nga asnjë sy tjetër, përveç nga syri magjik i prodhuesit, ndërsa ndjekja do të thotë se do të mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë tranzit dhe do ta ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj, që kur nisen për të kaluar kufirin kanë nga mbrapa doganierë që bashkëndosin ambientin duke shfrytëzuar edhe karburant të blerë nga buxheti i shteti,” shtoi kryeministri.

Albtrace është një kompani ku 51 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, ndërsa 49 mbahen nga një shoqëri nga Arabia e quajtur O & S Security and Solutions, e cila zëvendësoi koncesionin e pullave fiskale. Me sa duket qeveria tashmë ka vendosur që kjo kompani të hyjë dhe në tregun e karburanteve duke rikthyer kështu pjesërisht koncesionin e markimit. Por hyrja e kësaj kompanie do të imponojë një tarifë të re, të cilët qytetarët do të paguajnë në çmimin e naftës.

Por ndonëse tarifa e gjurmimit pritet të jetë relativisht e lehtë, ajo e krijimit të rezervës kombëtare ka një faturë, e cila shkon mbi 300 milionë euro.

“Brenda 2-3 javësh pr.ligji i rezervës do jetë i miratuar në qeveri. Ai parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe tashmë rezerva e sigurisë hidrokarbure nuk do mbahet më nga subjektet tregtare hidrokarbure, por do mbahet nga Agjencia Shtetërore e cila do e depozitojë në depozitat e saj apo të marra me qira. Duke krijuar një depozitë 90-ditore minimale të produktit në vend për të pasur siguri hidrokarbure të plotë dhe totale,” deklaroi ministri i Energjisë Enea Karakaçi.

Qeveria gjen zgjidhje për krizën e naftës, shton dy taksa të

Kjo është tabela, e cila tregon sasinë e rezervës që do të krijohet në vitin e parë. Aktualisht çmimi i naftës në treg është rreth 1250 dollarë për tonë dhe sigurimi i 240 mijë tonëve ka një kosto të drejtëpërdrejtë prej 300 milionë dollarësh. Këto para do të sigurohen përmes vendosjes së një tarife tjetër mbi çmimin e naftës, e cila me gjasë do të jetë e konsiderueshme.

 

Qeveria gjen zgjidhje për krizën e naftës, shton dy taksa të

Megjithatë kjo nuk është kostoja e vetme. Paralelisht kompania publike do të ketë kosto të tjera duke përfshirë marrjen e depove me qira. Aktualisht kostoja për marrjen me qira e depozitave të karburanteve është minimalisht 10 euro për ton në muaj, e cila nënkupton një kosto shtesë prej 25 milionë eurosh në vit.

Këto dy tarifa i shtohen barrës së rëndë rekord, që shqiptarët paguajnë tek karburantet, çka do të rrisë edhe më shumë çmimet./kapital