Gjatë fushatës e saj për një “po” në referendumin kushtetues të fundjavës, kryeministrja italiane ka kërkuar audienca të reja.
Të enjten, Giorgia Meloni u shfaq në publik e ulur mes një reperi të njohur dhe një ish-trajneri personal të kthyer podkaster, për t’u bërë thirrje italianëve të votojnë për një sistem gjyqësor, për të cilin ajo premtoi se do të ishte “më i drejtë” për të gjithë.
Partitë e opozitës kanë qenë gjithashtu aktive, duke e paraqitur reformën “historike” të propozuar nga qeveria e djathtë si kërcënim për demokracinë dhe duke e shndërruar atë në votë proteste kundër sundimit të Melonit.
Me tre vjet e gjysmë në pushtet — afër një rekord në një vend koalicionesh të paqëndrueshme — Meloni krenohet se ka sjellë stabilitet në Itali. Por ndërsa ky referendum është bërë gjithnjë e më personal, ajo mund të përballet me humbjen e saj të parë të rëndësishme.
“Ajo dëshiron të fitojë. Nëse humbet, do të ketë pasoja dhe ajo e kupton këtë,” shpjegon studiuesi i shkencave politike Roberto D’Alimonte i Universitetit Luiss.
“Ajo duhet të mobilizojë votuesit e saj për të pasur më shumë shanse për ta fituar këtë garë. Por do të jetë shumë e ngushtë.”
Pikërisht prandaj kryeministrja iu bashkua reperit Fedez dhe z. Marra në podkastin e tyre, “Pulp”.
Duke zëvendësuar kostumin e saj të zakonshëm njëngjyrësh me një pulovër leshi me ngjyra të ndezura, Meloni iu përgjigj për një orë pyetjeve nga reperi me tatuazhe dhe bashkëprezantuesi i tij i njohur.
Nuk ka prag minimal pjesëmarrjeje për këtë lloj referendumi. Kampi me më shumë vota gjatë dy ditëve të votimit fiton. Fushata “jo” tashmë ka mbështetjen e sindikatave.
Sondazhet e fundit sugjeronin se pjesëmarrja e ulët do të favorizonte ata kundër reformës.
Kështu, gjatë emisionit Meloni parashtroi me vrullin që e karakterizon argumentin e saj për “po”.
Ajo tha se ndryshimet në mënyrën e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve italianë do ta bënin sistemin “më meritokratik, më të përgjegjshëm dhe më efikas”.
Ajo gjithashtu argumentoi se kundërshtarët e saj po e kthejnë të gjithë këtë në një referendum rreth qeverisjes së saj vetëm e vetëm sepse nuk mund të kritikonin reformën në vetvete.
Sidoqoftë, Meloni bëri të qartë se nuk do të jepte dorëheqjen.
“Nëse sot votoni ‘jo’ vetëm për ta dërguar Melonin në shtëpi, do t’i merrni të dyja: edhe Melonin kryeministre dhe një sistem drejtësie jofunksional,” tha kryeministrja.
“Kjo mua nuk më duket ndonjë marrëveshje e mire.”
A është vërtet drejtësia italiane “e thyer”?
Sistemi vuan padyshim nga një mbingarkesë kronike, me disa nga proceset gjyqësore më të gjata në BE.
Por reforma nuk do ta adresojë këtë.
Referendumi synon ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe krijimin e organeve të veçanta për t’i qeverisur ata. Propozohet gjithashtu një gjykatë e re disiplinore për të dyja palët.
Ndikimi i mundshëm varet tërësisht nga kush pyetet: shumë italianë e kanë të vështirë ta kuptojnë fare këtë referendum.
Propozimi është projekt i partisë së të ndjerit Silvio Berlusconi-t, Forza Italia, pjesë e koalicionit aktual.
Kryeministri oligark italian i shumë viteve ishte përherë nëpër gjykata dhe sulmonte gjyqësorin si bllok supozuar “komunist” ndaj pushtetit të tij.
Meloni vetë është konfliktuar publikisht me gjykatat, duke pretenduar se “fraksione të fuqishme” pengojnë rregullisht politikat e saj kryesore, sidomos atë të migracionit.
Kohët e fundit në Milano ajo pretendoi — pa asnjë provë — se refuzimi i referendumit do të nënkuptonte “edhe më shumë… emigrantë, dhunues, pedofilë, trafikanë droge që lirohen dhe vënë në rrezik sigurinë tuaj.”
Një retorikë e tillë është një nga arsyet pse partitë e opozitës janë kaq të kujdesshme ndaj kësaj reforme.
Ato kanë frikë se qëllimi i vërtetë i Melonit është ta vërë gjyqësorin nën kontrollin e saj politik.
Ajo dhe ekipi i saj e mohojnë këtë.
Por në një kohë pasigurie globale dhe çmimesh në rritje të shkaktuara nga një luftë amerikane e papopullore, ata e dinë gjithashtu se votuesit mund ta përdorin referendumin për të shprehur frustrimin e tyre.
“Situata gjeopolitike është shumë e vështirë, natyrisht. Njerëzit kanë frikë. E kuptoj plotësisht. Por duhet të mbetemi të fokusuar tek qëllimi i referendumit,” argumenton Andrea di Giuseppe, anëtar i partisë Fratelli d’Italia të Melonit.
Ai sugjeroi se vlerësimi i rekordit të Melonit mund të priste zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm.
“Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë qeveri, atëherë në 2027 [mund] thjesht ta hidhni nga autobusi, të ndërroni qeveri. Tani, çështja e referendumit është ajo që ka rëndësi.”
Ka edhe të tillë, madje edhe në krahun e majtë të politikës, që mbështesin këtë reformë dhe e shohin lidhjen e ngushtë mes gjyqtarëve dhe prokurorëve si shumë komode.
“Është sikur, unë të ndihmoj ty për këtë rast, kështu ti më ndihmon mua. Është si një parlament i vogël ku të gjithë veprojnë së bashku. Kjo nuk është normale,” thotë Alessandro Sterpa, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Tuscia.
Zakonisht jo mbështetës i Melonit, ai tregon ankesat e përhapura në të kaluarën lidhur me ndikimin e fraksioneve politike, të ashtuquajturat “correnti”, brenda gjyqësorit.
Ai gjithashtu nuk sheh asgjë në reformën e propozuar që do të rriste shkallën e kontrollit qeveritar.
Nga ana tjetër, kjo do të ishte hera e parë që një qeveri e djathtë e fortë ndryshon kushtetutën e Italisë, shkruar në vitet 1940 pas mundjes së fashizmit.
“Për një kohë të gjatë, e majta shkroi libra në universitete se vetëm e majta mund të mbrojë kushtetutën. Por nuk mund t’i themi më gjëra të tilla,” argumenton Sterpa.
“Gjyshërit e mi luftuan kundër fashizmit, me armë. Tani unë jam për reformën sepse është e dobishme për vendin.”
Fushata “jo”
Mitingu i fundit i fushatës “jo” u mbajt në madhështoren Piazza del Popolo të Romës, ku disa njerëz shkruan “Votoni Jo” me shirit të bardhë mbi kalldrëmin.
Një njëbrirësh i fryrë me bisht me ngjyra të ylberit eci nëpër turmë me një shenjë që thoshte “Lëre Kushtetutën në Paqe” në qafën e tij.
Nga skena dëgjoheshin thirrje të zjarrta për të “mbrojtur demokracinë”.
“Kushtetuta na dha garancitë e këtij ekuilibri të pushteteve pas fashizmit. Na duhej kjo për të mos rënë sërish në atë lloj shteti,” argumenton Andrea Malpassi nga sindikata CGIL, fort pro votës “jo”.
Ai është thellësisht i kujdesshëm ndaj çdo ndryshimi kushtetues nga ana e një kryeministreje që filloi jetën e saj politike si admiruese e Musolinit, diktatorit.
“Në vitet e fundit kemi pasur shumë hetime mbi atë që… ministrat e kësaj qeverie kanë bërë,” thotë Malpassi.
“Nuk duam që kjo të mos jetë e mundur në të ardhmen.”
Pasojat e mundshme
Nëse Meloni fiton këtë votim, ajo ka ambicie të mëdha politike, duke përfshirë rritjen e kompetencave të zyrës së saj në një referendum të ardhshëm.
Por ky test vjen në një kohë të vështirë.
“Italianëve nuk u pëlqen të përfshihen në këto luftëra amerikane dhe rritja e çmimeve të gazit dëmton popullaritetin e qeverisë. Konteksti është shumë negativ për Melonin në këtë pikë,” është dakord Prof. D’Alimonte.
Ajo do të mbijetonte një votë “jo”. Por stabiliteti shumë i lavdëruar që ajo ka sjellë në Itali do të tronditej në një kohë veçanërisht të cenueshme.
“Ajo nuk do të japë dorëheqje,” thotë profesori. “Por do të dobësohet politikisht, kjo nuk ka dyshim.” /BBC







