Ballina Kulturë Sot Dita e Sulltan Nevruzit, ja çfarë duhet të dini për ditën...

Sot Dita e Sulltan Nevruzit, ja çfarë duhet të dini për ditën që festohet në 33 vende të Botës

137
0

Besimtarët bektashinj festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit.

Sipas bektashinjve festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë sipas analistit fetar Ferdinand Samarxhi.

“Sulltan Nevruz” do të thotë ditë e re, bektashinjtë që gjenden në 33 vende të botës e quajnë ditë e pranverës, ku natyra konturohet nga lule me ngjyra të ndryshme dhe ngjallen gjallesat. Në këtë ditë për bektashinjtë ka lindur dhe shenjtori i botës Imam Aliu, i cili do të luftonte dhe për emancipimin e shoqërisë njerëzore.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Në këtë ditë feste amvisat përgatisin një laknur (byrek) të veçantë, ku në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike për fat.

Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut(k.v), që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj… Është  dita e Imam Aliut(k.v), dhëndrit të profetit Muhamed(a.s), ai ka qënë krahu i djathë i  Profetit . Prandaj kjo festë për besimtarët, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai, Saadi, etj…  përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit.

Ai ka lindur më 22 mars, është një nga shënjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe është i pari i dymbëdhjetë imamëve.

Imam Aliu(k.v) është një nga imamët e mëdhenj,i pajisur me një dituri të jashtzakonshme Profeti Muhamed (a.s)  thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu(k.v) është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu(k.v), nuk ka shpatë tjetër si Dhulfiqari Aliut(k.v). Kush do Alinë(k.v), më ka dashur mua, kush urren Alinë(k.v), më ka urryer mua”.

Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë njerëzimit mbarë dritë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor.

Ai la pas tre parime:

Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor, drejtësinë. Prandaj mbeti symbol i përhershëm. Besimtarët, Bektashi, Halveti, Kaderi, Rifai,Saadi,etj….  betohen: Ja Muhamed – Ali!

Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumshit, i cili sibolizon qumshtin e nënës, dhe bërja  kurban e kaposhit të detit apo kaposhit shqirak.

Sulltan Nevruzi festohet tri ditë rresht.

a-Ditën e parë festohet në familje ku të gjithë anëtarët mblidhen për të ngrënë drekën karakteristike të kësaj dite.

b-Dita e  dytë është e pleqve, ata mbildhen nëpër vende të shenjta për të nderuar imamët. Ata merrnin me vete ushqime të bollshme dhe festojnë së bashku.

c-Ndërsa dita e tretë është ajo e grave dhe e nuseve të reja. Ato mblidhen së bashku për të festuar dhe pët t’u argëtuar. Festa nisë në mëngjes dhe vazhdon derisa ndizeshin dritat(qërinjt) e teqesë. Pas këtij momenti ato shpërndahen nëpër shtëpi.

Diktatura komuniste në Shqipëri,e prirur drejt ateizmit, me dekretin nr. 4337, datë 13.11.1967 i mbylli të gjitha objektet e kulteve. Në Shqipëri  Dita e Nevruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.