Pas 35 vitesh qeverisjeje të SPD në landin Rheinland-Pfalz pritet ndryshim pushteti. CDU fitoi zgjedhjet në land, AfD shënon rritje të konsiderueshme, të Gjelbrit kanë pësuar humbje të vogla.
Ndryshim pushteti në Rheinland-Pfalz: Në zgjedhjet e landit CDU-ja e kalon SPD-në në vendin e dytë pas pothuajse 35 vitesh në pushtet në land. Kandidati kryesor i CDU-së, Gordon Schnieder, me gjasa do të jetë Kryeministri i ri i landit, ndoshta në një koalicion me SPD-në.
Sipas rezultateve paraprake, CDU-ja përmirësoi performancën e saj krahasuar me zgjedhjet e fundit në vitin 2021, duke arritur në 31 përqind (2021: 27.7 përqind). SPD-ja ra në 25.9 përqind (2021: 35.7 përqind) – një nivel historik i ulët për partinë tradicionale në zgjedhjet në Rheinland-Pfalz. Sipas rezultateve të deritanishme, AfD dyfishoi votat krahasuar me zgjedhjet e fundit në vitin 2021, duke arritur në 19.5 përqind (2021: 8.3 përqind) -ky është rezultati më i mirë i AfD në një land të Gjermanisë Perëndimore.
Të Gjelbrit pësuan humbje të lehta dhe arrijnë vetëm 7,9%, krahasuar me 9,3% në vitin 2021. Kurse liberalët e FDP nuk arrijnë të hyjnë në parlamentin e landit, me 2,2%, krahasuar me 5,5 përqind në vitin 2021. Edhe Votuesit e Lirë nuk hyjnë në parlamentin me 4,2 përqind.
Koalicioni i mundshëm i CDU me SPD
Gati tre milionë njerëz kishin të drejtë vote në Rheinland-Pfalz. Pjesëmarrja në votime ishte 68.5 përqind, në vitin 2021, 64.3%. Prej dhjetë vjetësht qeveriste koalicioni i SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së, në landin me popullsi prej më shumë se katër milionë banorësh. Shenjat janë për një një koalicion të madh nën drejtimin e CDU dhe kandidatit Schnieder: aleancat e tjera janë ose matematikisht të pamundura ose – në rastin e AfD-së – politikisht të pamundura, CDU nuk pranon bashkëpunimin me AfD. Sipas rezultateve paraprake përfundimtare, CDU do të marrë 39 vende në parlamentin e landit, SPD 32. Së bashku ka të ngjarë të kenë një shumicë prej dy të tretash. Të Gjelbrit do të fitojnë 10 vende, AfD 24./DW







