Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se ka ndërtuar një sistem të padrejtë taksash që rëndon mbi qytetarët, duke theksuar se socialistët zgjedhin të mbrojnë këtë model për të mbajtur pushtetin; sipas saj, sistemi mbitakson sidomos shtresën e mesme dhe ata që punojnë, ndërsa favorizon një pakicë me ligje dhe përjashtime, çka, siç thotë ajo, ka deformuar ekonominë, ka ulur të ardhurat e familjeve dhe ka rritur barrën fiskale; Tabaku kritikon gjithashtu projektet dhe koncesionet e qeverisë, të cilat i cilëson si të korruptuara dhe pa vlerë, duke shtuar se Shqipëria mbetet vendi më i varfër në rajon për shkak të këtij modeli dhe duke bërë thirrje për ndryshim të qeverisë si zgjidhje.
Deklarata e plotë e Jorida Tabakut
“Socialistët po mbrojnë me çdo kusht dhe formë sistemin e pandershëm që kanë ngritur dhe që i mban ata në pushtet. Sa herë që bëhet fjalë për të zgjedhur mes qytetarëve dhe sistemit, ata zgjedhin këtë të fundit. Kanë ndërtuar një sistem që mbitakson shumicën e shqiptarëve që punojnë dhe veçanërisht shtresën e mesme. Sa më shumë të punosh, aq më shumë taksohesh. Ky është rezultati i një sistemi të pandershëm dhe të korruptuar që mbitakson shtyllën kurrizore të vendit, shtresën e mesme, ndërsa voton ligje me porosi për pakicën. Ky realitet ka deformuar edhe ekonominë e vendit tonë, aq sa sot barra më e madhe e taksave është mbi djersën e punës së qytetarëve, të cilët çojnë gjithnjë e më pak para në shtëpitë e tyre, sepse shteti i takson më shumë. Ata që punojnë dhe krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi mbitaksohen, ndërkohë që një pakicë që përfiton vetëm benefite dhe menaxhon taksat e shqiptarëve përjashtohet nga taksat me ligje me porosi.
Kështu, shtresa e mesme mban barrën e madhe të një ekonomie dhe paguan faturat e korruptuara të projekteve korruptive. Një sistem i pandershëm. Një sistem i korruptuar. Një sistem i dështuar. Sistemi që miliona euro tendera dhe koncesione i investon në projekte ineficiente dhe pa asnjë vlerë të shtuar në ekonomi. Qytetarët paguajnë më shumë taksa, marrin më pak të ardhura, ndërsa projektet dhe PPP-të e qeverisë janë ineficiente dhe korruptive. Nëse sot jemi ende vendi më i varfër në rajon, me fuqinë blerëse më të ulët në rajon, kjo vjen sepse kemi ngritur këtë model të gabuar dhe të rrezikshëm ekonomik. Një model që promovon korrupsionin dhe monopolet dhe që është arsyeja pse sot 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë: më shumë taksa, çmime më të larta dhe më pak të ardhura. Për të ndryshuar këtë sistem, për të tharë moçalin e këtij sistemi, na duhet ta ndryshojmë këtë shumicë. Na duhet të mos kemi këtë qeveri të pakicës”







