Ballina Aktualitet “Organi i akuzës s’ka përmbushur…”/ Përplasje dhe akuza, “Sterilizimi”, Beqaj: Dua më...

“Organi i akuzës s’ka përmbushur…”/ Përplasje dhe akuza, “Sterilizimi”, Beqaj: Dua më shumë kohë për qëndrimin tim

104
0

Ka nisur në GJKKO seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në lidhje me çështjen e njohur si “Sterilizimi”. Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK bënë me dije se, në fazën paraprake, gjykata kishte vendosur rikualifikimin e akuzës nga “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Sipas SPAK, kjo u bë pas kërkesës së gjykatës për sqarimin juridik të veprës penale, ndërsa prokuroria deklaroi se i qëndron akuzave të ngritura.

Nga ana e tij, Beqaj kundërshtoi qëndrimin e organit të akuzës, duke kërkuar të njihet me argumentet e plota të rikualifikimit. Ai theksoi se dokumenti i paraqitur nuk përmban asnjë vlerë konkrete të dëmit të pretenduar dhe as veprime apo mosveprime të tij personale që të justifikojnë akuzën.

“Organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin e gjykatës,” u shpreh Beqaj, duke shtuar se do të kërkojë kohë për të paraqitur qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Edhe mbrojtja ligjore e tij, përfaqësuar nga avokati Ermal Yzeiri, ngriti shqetësime mbi bazën ligjore të aktit të prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata të vlerësojë nëse janë përmbushur kërkesat e vendosura më herët, ose në të kundërt t’u jepet kohë palëve për përgatitjen e argumenteve.

SPAK, nga ana tjetër, u shpreh se dokumenti i paraqitur përbën një sqarim të mjaftueshëm të ndryshimit të akuzës dhe të procedurave të ndjekura deri në kalimin e çështjes për gjykim. Seanca u shoqërua me tensione, ku Beqaj deklaroi se rikualifikimi i akuzës tregon mungesë pavarësie të prokurorisë dhe vuri në dyshim paanshmërinë e gjykatës.

Në përfundim, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për t’u dhënë kohë palëve për paraqitjen e kërkesave paraprake dhe sqarimeve të mëtejshme nga prokuroria. Seanca e radhës është caktuar më 28 prill, në orën 12:00. Ndërkohë, gjykata pritet të shprehet edhe mbi kërkesën e Beqajt për të qëndruar jashtë kafazit gjatë seancave, një çështje që lidhet me rregullat e sigurisë dhe administrimin e të pandehurve në sallën e gjyqit.

DISKUTIMI NE SALLE:

Spak: I qëndrojmë akuzave të vendosura në seancë paraprake.

Beqaj: Do doja ta lexoja argumentin e dhënë nga organi i akuzës, përsa i përket rikualifikimit të veprës. Ky është një dokument i lidhur me akuzën, nuk ka minimalisht një numër në vlere shifra e vjedhjes, siç nuk ka as një veprim apo mosveprim timin, organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin. Ne do kërkojmë që të shprehemi në lidhje me këtë moment.

Avokat Ermal Yzeiri: Gjykata mori vendim, e urdhëroi prokurorin, është pa bazë ligjore, nuk ka ku të mbështetet. Duhet ju si gjykatë të shpreheni nëse ky akt i përmbush kërkesat që ja keni lënë. Nëse ju do ti jepe kohe prokuroria për të përmbush kërkesën tuaj ose duhet të na jepni ne kohe që të bëhemi gati për të dhënë argumentet tona.

Spak: Në vlerësimin tonë akti që paraqitur, në vetvete bën një sqarim për ndryshimin e akuzës, ne na u kërkua të bëjmë një sqarim se cila është akuza, me të cilën është përcjell për gjykim i pandehuri. Ne kemi shpjeguar hapat procedural çfarë ka ndodhur.

Beqaj: U rikonfimua që organi i akuzës nuk ka vepruar i pavarur, meqënë se jemi para kësaj, që ju nuk jeni gjykatë e paanshme. Pasi gjykata urdhëroi që të ndryshohej kjo akuzë. Akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorëve.
Avokati: Kjo nuk mund të konsiderohet sqarim i një akuze, nëse ky është akti definitiv, nga SPAK atëherë kërkojë kohë të paraqes argumentet e mia.