Rezoluta e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për mbrojtjen e të vërtetës historike të Luftës në Kosovë ka kaluar me sukses në Kuvendin e Kosovës. Propozimi mori 90 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputeti Nait Hasani nga PDK paraqiti pikat kryesore të rezolutës, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe afirmimin e sakrificës së popullit shqiptar.
Në vijim i gjeni të gjitha pikat kryesore të propozimit të rezolutës:
THEKSON se është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës që të kryejn hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Të vetmet të dhëna të konfirmuara mbi krimet e Serbisë në Kosovë, janë të dhënat zyrtare nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
INKURAJON institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën e nisur edhe me më shumë përkushtim për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, duke shfrytëzuar edhe më shumë ndryshimet e fundit ligjore për hetimin dhe gjykimin në mungesë të krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë;
NDERON me përulje sakrificën sublime të popullit shqiptar, të të gjithë dëshmorëve të kombit, të rënëve e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyrë kontribuan dhe u sakrifikuan për liri e pavarësi;
DËNON çfarëdo përpjekje zyrtare ose tjetër, si dhe çfarëdo deklarimi të zyrtarëve publikë që synon ose angazhohet për amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë;
DËNON çdo formë të shtrembërimit, relativizimit apo paraqitjes së pasaktë të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë 1998–1999;
DËNON nismat si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë, që, me pasaktësitë në të dhëna mbi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve duke rrezikuar deformimin e të vërtetës dhe fakteve historike;
FTON Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, që sa më parë të hulumtojë dhe të dokumentojë të dhënat e sakta mbi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë dhe të pasqyrojë të vërtetën historike në mënyrë të saktë dhe të plotë;
FTON të gjitha institucionet shtetërore, institucionet akademike dhe institutet kërkimore, mediat, organizatat joqeveritare, shoqatat e profesionistët e fushës, qytetarët e familjarët e viktimave që të angazhohen në grumbullimin e materialeve, fakteve, dëshmive, provave e argumenteve duke i deponuar ato në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
MBËSHTET dhe inkurajon përgatitjet për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë;
FTON organet e drejtësisë që të zhvillojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm lidhur me praninë eventuale të elementeve penale në rastin e prezentimit të të dhënave të pasakta dhe të zbardhen deri në fund rastet e mundshme të kësaj natyre;
OBLIGON Ministrinë e punëve të Jashtme dhe Presidencën që të reagojnë në kohë reale dhe proporcionalisht në rastet kur nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare ose deklarata publike sulmohet e vërteta e luftës së fundit në Kosovë;
OBLIGON institucionet përgjegjëse që çdo aktivitet publik, ekspozitë apo publikim që trajton periudhën e luftës, të bazohet në burime të verifikuara dhe të konfirmuara nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ndonjë institucion kërkimor shkencërisht kredibil si dhe në vendime përfundimtare të institucioneve të drejtësisë, për të shmangur çdo interpretim që cenon dinjitetin e viktimave dhe të vërtetën e luftës çlirimtare;
INKURAJON komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe studiuesit që të kontribuojnë në dokumentimin e saktë dhe të bazuar në fakte të historisë së luftës në Kosovë;
ZOTOHET se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme legjislative për plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me qëllim që të parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998–1999. Gjithashtu, zotohet të parashihen dënime edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë apo përhapin propagandën e Serbisë;
KËRKON që Kuvendi dhe çdo institucion tjetër qendror apo lokal në Republikën e Kosovës, para se të mbështes financiarisht apo në çfarëdo mënyre, aktivitete që kanë për qëllim prezentimin e periudhës së luftës apo që përmbajnë elemente nga periudha e luftës, që të sigurohen për përmbajtjen e materialeve, saktësinë e të dhënave dhe të vërtetën historike;
NDALON financimin apo mbështetjen e organizatatve që realizojnë ose promovojnë projekte që deformojnë të vërtetën historike dhe fyejnë viktimat;
KONFIRMON përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës historike, si një nga shtyllat themelore të identitetit shtetëror, kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo e vërtetë përbën bazën e ndërtimit të besimit qytetar, të edukimit të brezave të rinj dhe të forcimit të legjitimitetit të shtetit në planin vendor dhe ndërkombëtar; si dhe zotimin për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm institucional dhe ligjor për të parandaluar dhe kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërim, relativizim apo mohimin e fakteve historike që lidhen me luftën dhe sakrificën për liri.







