Ballina Ekonomia “Ari i kuq”, domatja importohet 60 lekë, shitet deri në 600 lekë

“Ari i kuq”, domatja importohet 60 lekë, shitet deri në 600 lekë

82
0

Domatja ka qenë “ari i kuq” për tregtarët shqiptarë. Sipas të dhënave doganore, gjatë muajve mars dhe prill, 1 kg domate në Itali, Turqi dhe Greqi nga tregtarët tanë është blerë 60 lekë, ndërsa për konsumatorët ky produkt është shitur 500%-900% më shtrenjtë.

Sipas të dhënave doganore, në 37 ditë në vendin tonë janë importuar 1.5 mln kg domate, me një vlerë rreth 93 mln lekë.

Të dhënat e siguruara nga Top Channel tregojnë se vlera më e lartë mban datën 23 mars, ku 14,450 kg domate nga Turqia janë blerë 899,516 lekë. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, çmimi i domates në këtë rast i blerë është 62 lekë. Por nga ana tjetër, ky produkt konsumatorëve u ka kushtuar 350-600 lekë për kg.

Kërkesa e lartë për domaten e huaj erdhi pas përmbytjeve, ku qindra hektarë sera me perime u kalbën si pasojë e reshjeve të shiut.

Varësia ndaj importit për shqiptarët diktoi çmime abuzive që nuk u kontrolluan dhe nuk u ndaluan nga askush. Trendin e çmimeve të larta e ndoqi më pas edhe ai pak prodhim vendas që doli në shitje.

Por domatja nuk është i vetmi produkt i shtrenjtë, pasi në të njëjtat vlera është edhe speci.

Ndërkohë, çmimi i bishtajoreve është edhe më i lartë; 1 kg mashurka familjeve shqiptare po u kushton 550-600 lekë, me pretendimin se ky produkt nuk kultivohet shumë në tokat tona.

Tabela e lartë e çmimeve të perimeve është pranuar edhe nga vetë Ministria e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, por që ende nuk janë hetuar, por vetëm monitoruar. Vëzhgimi nuk frenoi abuzimin e tregtarëve të pangopur.