Ballina Politika Auron Tare: Mos të gënjejmë veten kot, diaspora nuk ka ndonjë impakt...

Auron Tare: Mos të gënjejmë veten kot, diaspora nuk ka ndonjë impakt në Shqipëri

208
0

Studiuesi Auron Tare, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se diaspora “nuk ka ndonjë impakt në Shqipëri”.

“Unë mendoj që diaspora shqiptare ka qenë me të vërtetë aktive dhe me impakt vetëm në vitet ’20-’30, kur me të vërtetë, sidomos diaspora në Amerikë, luajti një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, për fatet, për kufijtë, për njohjen dhe për disa nga çështjet më të rëndësishme të Shqipërisë që sapo ishte bërë një shtet i pavarur. Pastaj, mendoj unë, pas ’45-ës, me vendosjen e pushtetit komunist, diaspora ishte mjaft e përçarë, e ndarë nëpër fraksione politike dhe nuk është se ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm, përveçse është përdorur si mish për top nga angloamerikanët. Pastaj nga viti ‘90 e këtej kemi një shpërndarje të madhe të shqiptarëve. Nuk është se ka ndonjë impakt diaspora në Shqipëri. Nëse themi që diaspora ka zë dhe ka impakt, gënjejmë veten mendoj unë”, tha Tare.

“Komuniteti shqiptar është shumë i angazhuar me problemet e veta dhe ajo që mendoj unë është se nuk ka fare impakt nga Shqipëria për këtë komunitet. Për shembull, ne kemi një ambasadë në Uashington. Ambasada jonë atje për shembull nuk e di çfarë niveli shqiptarësh ka në Amerikë, ku punojnë ose studentët ku janë. Dy shkolla shqipe që janë në Boston mbahen me paratë e prindërve. Unë nuk e kuptoj çfarë kërkojmë ne nga diaspora”, shtoi studiuesi Auron Tare.