Ballina Ekonomia Drafti, Fond Kombëtar edhe për Mjedisin, do financojë projekte, i shmanget prokurimit...

Drafti, Fond Kombëtar edhe për Mjedisin, do financojë projekte, i shmanget prokurimit publik

66
0

Projektligji i hedhur në konsultim publik për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit” synon të krijojë mekanizma të rinj për financimin e projekteve në këtë fushë.

Një nga risitë e draftit është krijimi dhe detajimi i funksionimit të Fondit Kombëtar të Mjedisit, i cili synon të kthehet në instrumentin kryesor financiar për zbatimin e politikave mjedisore në vend. Ky fond parashikohet të krijohet si një fond publik i dedikuar, i vendosur pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin dhe i administruar sipas rregullave që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Burimet e financimit të këtij fondi janë të shumëllojshme dhe përfshijnë buxhetin e shtetit, financime nga donatorë vendas dhe të huaj, si dhe të ardhura të tjera dytësore. Kjo strukturë e hapur financimi synon të krijojë fleksibilitet dhe të rrisë kapacitetin për të tërhequr fonde ndërkombëtare, veçanërisht në një kohë kur projektet mjedisore lidhen gjithnjë e më shumë me agjendat globale si ndryshimet klimatike, energjia e pastër dhe ekonomia e gjelbër.

Një nga pikat më të diskutueshme është fakti që Fondi Kombëtar i Mjedisit nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik. Kjo dispozitë synon të shmangë procedurat e prokurimit, duke mundësuar reagim më të shpejtë dhe financim më fleksibël për projekte prioritare. Kjo i hap rrugë selektivitetit në përzgjedhjen dhe financimin e projekteve mjedisore.

Projektligji parashikon që përmes këtij fondi të financohen një gamë e gjerë projektesh dhe veprimtarish. Përfitues mund të jenë individë, organizata apo subjekte private dhe publike, vendase apo të huaja, të cilat operojnë në fushën e mjedisit. Një tjetër risi është mundësia që fondi të mbulojë deri në 100% të kostove të një projekti, duke e bërë këtë mekanizëm potencialisht shumë tërheqës për aktorët që kërkojnë të zhvillojnë iniciativa mjedisore.

Në të njëjtën kohë, fondi parashikon edhe financimin e projekteve me rëndësi të veçantë, të cilat mund të përthithin mbi 50% të buxhetit vjetor. Ky është një sinjal i qartë se qeveria synon të krijojë hapësirë për ndërhyrje strategjike në shkallë të gjerë, si projekte për menaxhimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave të ndotura apo investime në infrastrukturë mjedisore.

Procesi i përzgjedhjes së projekteve do të kalojë përmes një strukture të brendshme, një kolegjiumi të përbërë nga funksionarë të ministrisë, i cili do të bëjë vlerësimin dhe klasifikimin e projekteve. Megjithatë, vendimmarrja përfundimtare i takon ministrit, i cili miraton financimet mbi bazën e propozimeve të këtij kolegjiumi. Kjo strukturë synon të balancojë aspektin teknik të vlerësimit me përgjegjësinë politike të vendimmarrjes, por gjithashtu e përqendron fuqinë në nivel drejtues

Fondi Kombëtar i Mjedisit paraqitet si një instrument i ri që mund të ndryshojë mënyrën se si financohen politikat mjedisore në Shqipëri, por sfidë mbetet gjetja e balancës mes fleksibilitetit në përdorimin e fondeve dhe garantimit të transparencës, llogaridhënies dhe eficiencës në shpenzime. /ekofin.al