Që Rama është tersi gjithëpërfshirës i Shqipërisë, ky pohim tashmë ka marrë vlerë aksiomatike. Para ca vitesh, Rama i telendisi, me mendjen e tij, drejtorët e bankave si të prapambetur në fushën e shërbimeve digjitale dhe duke mburrur aftësitë e sigurinë e AKSHI. Si ters që është e mori menjëherë shuplakën. Ajo që ndodhi ishte zbulimi i të dhënave të qytetarëve si pasojë e “sulmit Iranian” mbi sistemet që menaxhon qeveria dhe institucionet e z. Rama. Prej asaj ditë të dhënat që shtetasit detyrohen të dorëzojnë në institucionet qeveritare janë vazhdimisht të zbuluara, ndërsa pas hetimeve dhe masave të prokurorisë së posaçme te AKSHI sistemet e shërbimeve qeveritare në mënyrë të vijueshme nuk funksionojnë, pavarësisht fondeve super të majme të “investuara”. Bankat sot e kësaj dite edhe punojnë, edhe i ruajnë me kujdes të dhënat e klientëve të tyre. E vetmja bankë që iu zbuluan të dhënat ishte Banka Credins, e cila kishte lidhje shërbimi, po e themi thjesht, me e-albania, e me gjasë ishte bërë më vulnerabël nga sulmet.
Pak ditë më parë të gjithë ishim dëshmitarë të mbrojtjes së paskrupullt që Rama i bëri ndërtimeve në Shqipëri, në fakt mbronte politikën e tij për përdorimin e paskrupullt të truallit nga ndërtimi dhe të buxhetit të majmë që e shoqëron. Jo për ironi të fatit, as për rastësi, por si një seri kronikash keqbërjesh të paralajmëruara, mbrojtja e tij përsëri u dogj në zjarrin që ra në godinën-pallat të ndërtuar nga kompania e ndërtimit e Armand Lilos (duke ekspozuar përsëri Bankën Credins ku është pronar po ky person – për fat të keq çdo afërsi me institucionet e qeverisjeve të rilindjes, me lejet dhe licencat e saj ka edhe koston e reputacionit dhe të ekspozimit).
Çfarë tregon e gjithë ngjarja e fundit?
Tregon që Shqipëria nuk menaxhohet nga institucionet që ka ngritur qeveria. Qeverisja e Ramës është vetëm fasada dhe samite boshe, që përsëri për ters parada e paketuar „Samit Diaspore“ mblidhej kur një cep i Tiranës digjej.
Tregon që kushtet e sigurisë në vend janë tepër të cenueshme. Babëzia qeveritare për buxhetet e industrisë së ndërtimit ka prodhuar qytet të paqarkullueshëm, sidomos për ndihmën e shpejtë (shëndetësore dhe kundër zjarrit); ka prodhuar përqendrim banesash që rrisin probabilitetin e dëmit nga ngjarje të natyrës së katastrofës (tërmet, zjarr etj); ka prodhuar ndërtime dhe funksionime njësish biznesi ku nuk ka kontroll se si mbrohet nga zjarri apo uji (ka një zyrë shtetërore për këtë qëllim) dhe në fund ka prodhuar një ngrehinë që në mënyrë të vazhdueshme po shkatërron pronat e shqiptarëve (janë miliona euro dëme të shkaktuara në familjet që u prekën nga ngjarja tronditëse).
Mbi të gjitha ka prodhuar një papërgjegjshmëri të skajshme. Rënia e zjarreve është kthyer fenomen në pyje e kullota dhe gjithnjë na gjejnë pa përgatitje të mjaftueshme menaxhimi. Por edhe rënia e zjarreve në banesa nuk është më fënomen i izoluar. Rreth tre vite më parë ekzaktësisht e njëjta formë zjarrmarrjeje ndodhi në një tjetër pallat. Pak kohë më parë zjarri përpiu edhe zonat e tregjeve në Shkodër e në Tiranë. Asnjë reflektim nga këto ngjarje, ashtu si nuk pati asnjë reflektim nga tërmeti i shtatorit 2019 dhe ishim pa asnjë përgatitje në tërmetin e nëntorit 2019.
Dhe si gjithmonë pas fatkeqësisë tersi shfaqet me një propagandë bajate e shfrytëzon në mënyrën më të ligë fatkeqësitë. Urdhëroi që pallati do rindërtohet nga ndërtuesi – pa pritur hetimin dhe nxjerrjen e shkaqeve të vërteta të rënies së zjarrit (nëse është i qëllimshëm apo jo fajtori) dhe i marrjes vrull të zjarrit (që duket se drejtpërdrejt fajëson materialet e përdorura nga ndërtuesit). Pra jep një urdhër që mund të dalë edhe i paligjshëm nesër. Ndërkohë rindërtimi nuk kompenson dëmet në banesa. Por z. Rama fajëson edhe banorët për mossigurimin e banesave, sepse sigurisht nuk ka logjikën minimale të arsyetimit dhe të kuptojë se kompanitë e sigurimit nuk sigurojnë njësi të pasigurueshme (ku është i lartë probabiliteti i dëmtimit nga zjarri për shkak të materialit të përdorur) apo edhe nëse janë të siguruara këto janë ngjarje që po ta ndjekësh me seriozitet përjashtohen nga dëmshpërblimi (pavarësisht se nga servilizmi ndaj qeverisë kompanitë e sigurimit mund të pranojnë pagesa dëmshpërblimesh, se më pas ndërsehet rregullatori dhe e di ai si abuzon me ligjin).
Kompania që ka kryer ndërtimin nxitoi të deklarojë që ka ndërtuar sipas të gjitha lejeve (lexo nuk e ka ajo fajin, por institucionet e shtetit), por për hir të përgjegjësisë sociale do t´i rindërtojë, duke përlyer konceptin e përgjegjësisë sociale që nuk ka të bëjë aspak me zhdëmtim të një dëmi ku ka padyshim rol edhe materiali i përdorur nga ndërtuesi (që lexuesi ta bëjë dallimin përgjegjësia sociale është një kornizë etike që i detyron individët dhe entitetet të veprojnë në të mirë të shoqërisë në përgjithësi, dhe jo vetëm në favor të interesit të tyre).
E vërteta është që aleanca e institucioneve të qeverisë dhe atij grupi biznesesh (këtë radhë pronar kompanish ndërtimi e bankare) të afërta me qeverinë janë ato që po e bëjnë jetën në Shqipëri të pasigurt. Dhe nga kjo aleancë nuk ka policë sigurimi në botë që të mbron, sepse ndodhja e tragjedisë (nesër ndoshta me përmasa edhe më të frikshme) nuk është më ngjarje probabilitare, por ngjarje e sigurt./VNA







