Ballina Kulturë Vijojnë gërmimet në “Kodrën e Pusit” në Lushnje, dalin themelet e ndërtesës...

Vijojnë gërmimet në “Kodrën e Pusit” në Lushnje, dalin themelet e ndërtesës së kohës së Antikitetit

54
0

Vijojnë gërmimet arkeologjike në zonën e “Kodrës së Pusit”, pranë fshatit Murrizë në Lushnje. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thekson se gërmimet po zhvillohen intensivisht dhe se të dhënat e deritanishme tregojnë për një zonë të banuar në periudhën e Antikitetit të Vonë.

Gërmimet arkeologjike vijojnë intensivisht në Kodrën e Pusit, pranë fshatit Murrizë (Lushnje), ku po zbulohen gradualisht themelet e një ndërtese me përmasa të mëdha. Të dhënat e deritanishme tregojnë se zona ka qenë e banuar në periudhën e Antikitetit të Vonë, duke sjellë informacione të vlefshme mbi zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të saj. Gërmimet do të vijojnë për të zbuluar më shumë detaje rreth funksionit të godinës dhe kontekstit të saj kulturor”, shkruan Rama.

Prej rreth një muaji, arkeologë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjes, po kryejnë gërmime arkeologjike shpëtimi në këtë zonë.

Sipas të dhënave paraprake, aty janë identifikuar gjurmë të një vendbanimi me shtrirje nga periudha romake deri në antikitetin e vonë, çka tregon për një vazhdimësi të rëndësishme historike në zonë.

Studiuesit vlerësojnë se zbulimi, së bashku me të tjerë në afërsi, mund të lidhet me degëzime të rrugës së lashtë Egnatia, e cila lidhte Perandorinë Romake me Konstandinopojën.