Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin nigerian Ch. A., 43 vjeç, pasi në aksin rrugor “Maminas-Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me barrierën e rrugës. Nga aksidenti u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. K., 31 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi në lagjen nr. 1, Kavajë, automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin N. L. Si pasojë janë dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe bashkëshortja e tij, që udhëtonte me të, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. Q., 37 vjeç dhe Q. Q., 69 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, pasi shtetasi A. Q. ka pushtuar një sipërfaqe toke të shtetasit Q. Q., ndërsa ky i fundit e ka kanosur 37-vjeçarin.







