Ballina Bota Vrau shtatë fëmijët e tij dhe kushëririn e tyre/ Dëshmitë e të...

Vrau shtatë fëmijët e tij dhe kushëririn e tyre/ Dëshmitë e të afërmëve: Disa njerëz nuk i shpëtojnë dot…

83
0

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Shreveport të Luizianës, ku një 31-vjeçar, veteran i ushtrisë, ka vrarë shtatë fëmijët e tij dhe kushëririn e tyre, në atë që cilësohet si vrasja masive më vdekjeprurëse në SHBA në dy vitet e fundit.

Autori, Samar Elkins, sipas familjarëve, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kishte shprehur së fundmi mendime vetëvrasëse. Viktimat ishin të moshave nga 1 deri në 14 vjeç, ndërsa shtatë prej tyre ishin fëmijët e tij.

Sipas dëshmive, bashkëshortja e autorit kishte kërkuar divorc, çka duket se e kishte rënduar gjendjen e tij psikologjike. Kunati i tij, Troy Brown, tha se pas debateve për ndarjen, 31-vjeçari “po humbiste kontrollin”, ndërsa i përsëriste vazhdimisht: “Vëlla, nuk dua ta humbas gruan time.”

Policia bëri me dije se të shtënat nisën rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe se skena e krimit u shtri në katër zona të ndryshme, përfshirë tre banesa. Sipas autoriteteve, ngjarja kishte karakter familjar dhe hetimet vijojnë.

Në shtëpinë ku ndodhi tragjedia jetonin disa anëtarë të familjes së zgjeruar. Të shtatë fëmijët e autorit ndodheshin aty në momentin e sulmit dhe humbën jetën.

Pak javë para krimit, Elkins kishte telefonuar nënën dhe njerkun e tij, duke qarë dhe duke thënë se donte t’i jepte fund jetës. Ai u kishte treguar se po kalonte një periudhë të vështirë dhe se “po mbytej nga mendime të errëta”.