Ballina Sport Haaland mund të thyejë çdo rekord në Premier League

Haaland mund të thyejë çdo rekord në Premier League

72
0

Legjenda e Manchester City, Paul Dickov, beson se Erling Haaland ka potencialin për të shkruar historinë e Premier League dhe për të vendosur rekorde të reja.

Sulmuesi norvegjez e dërgoi Manchester City-n në krye të tabelës pas fitores minimale 1-0 ndaj Burnley-t, duke vazhduar formën e tij mbresëlënëse këtë sezon.

Aktualisht, Haaland ka realizuar 24 gola në kampionat, tre më shumë se Igor Thiago i Brentfordit, që ka 21 gola, pavarësisht se skuadra e tij renditet dukshëm më poshtë në tabelë.

Pas një vendi të tretë në renditjen e golashënuesve sezonin e kaluar, pas Mohamed Salah dhe Alexander Isak, Haaland është në rrugë të mirë për të fituar “Këpucën e Artë” për herë të tretë në Angli.

Rekordin për më shumë “Këpuca të Arta” në Premier League e mbajnë Thierry Henry dhe Mohamed Salah, me nga katër të tilla, por Dickov mendon se sulmuesi i Cityt mund ta kalojë këtë shifër.

Në një prononcim për “GOAL”, Dickov theksoi se Haaland ka gjithçka për të bërë historinë.

“Besoj se po. Ai do të jetë këtu për një kohë të gjatë dhe kjo është gjëja kryesore që do t’i mundësojë Erlingut të thyejë çdo rekord që ekziston”, ka thënë Dickov.

Sipas tij, vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e Haaland në elitën e futbollit anglez mund ta çojnë atë deri në pesë “Këpucë të Arta”, duke e vendosur në një nivel të ri historik.