Ballina Ekonomia KLSH gjen shkelje të rënda në Autoritetin Portual Durrës, 232 milionë lekë...

KLSH gjen shkelje të rënda në Autoritetin Portual Durrës, 232 milionë lekë dëme dhe 838 milionë të ardhura të munguara

124
0

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur shkelje të përsëritura në Autoritetin Portual Durrës. Nga raporti rezulton se Këshilli Drejtues nuk ka funksionuar në mënyrë të rregullt, ndërsa Këshilli Konsultativ nuk ka qenë funksional, duke sjellë mungesë të këshillimit profesional në vendimmarrje. Po ashtu, janë konstatuar shpërblime për anëtarët e Këshillit Drejtues pa miratim nga ministri i linjës dhe në kundërshtim me legjislacionin për konfliktin e interesit, si dhe mosmiratim i shpërblimeve për anëtarët e Këshillit Konsultativ.

Në fushën e prokurimeve publike, KLSH evidenton kritere të papërshtatshme kualifikimi dhe kontrata të lidhura me operatorë që nuk plotësonin kushtet. Janë konstatuar pagesa pa faturë tatimore, pagesa jashtë afateve dhe mbi vlerën e kontratës, ku vetëm për TVSH janë paguar më tepër 232 milionë e 965 mijë lekë, si rezultat i konvertimit të gabuar të monedhës. Gjithashtu, janë evidentuar pagesa për parkime në vlerën 1 milion e 184 mijë lekë dhe mosaplikim i penaliteteve për vonesa në vlerën 55 milionë e 608 mijë lekë, si dhe pagesa për shërbime pa procedura prokurimi dhe dokumentacion justifikues.

Në menaxhimin e fondeve publike, auditimi ka konstatuar mungesë ekonomiciteti, eficience dhe efektiviteti në vlerën 235 milionë e 362 mijë lekë dhe 549,059 euro, si dhe të ardhura të munguara në vlerën 838 milionë e 818 mijë lekë.

Po kështu, probleme kanë pasur edhe në menaxhimin e aseteve dhe inventarit. Sipas të dhënave, nuk janë analizuar për shfrytëzim pasuri në vlerën e 497 milionë e 878 mijë lekëve, ndërsa për inventarë të përdorshëm në vlerë 71 milionë e 78 mijë lekë nuk janë ndjekur procedurat e asgjësimit. Gjithashtu, shumë kontrata janë të përfunduara në praktikë, por jo formalisht, duke krijuar të ardhura të munguara.

Në fund të periudhës, niveli i debitorëve arriti në 796 milionë e 534 mijë lekë, nga të cilat 348 milionë e 57 mijë lekë janë në procedura arkëtimi. Po ashtu, janë konstatuar pagesa të kryera pa analizë të mjaftueshme, pa ndryshime të miratuara në ministrinë e linjës, si dhe mangësi në proceset e vlerësimit dhe menaxhimit të pronës publike.

Raporti ka gjetur gjithashtu mungesë transparence në tarifat e shërbimeve, pasi ato nuk janë pasqyruar në Librin e Tarifave, si dhe probleme në sistemin e hyrje-daljeve që nuk është i integruar plotësisht. Mekanizmi “black list” për debitorët administrohet manualisht, duke rritur rrezikun për abuzime, vlerëson gjjthashtu KLSH në auditim.