Një ushtar i forcave speciale amerikane, i përfshirë në operacionin ushtarak që çoi në kapjen e Nicolás Maduro-s, është arrestuar pasi dyshohet se kishte vënë baste për rrëzimin e ish-liderit të Venezuelës përpara se ky informacion të bëhej publik.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza ndaj Gannon Ken Van Dyke, pasi ai dyshohet se ka kryer transaksione në Polymarket, një platformë e bazuar në kriptomonedha, duke përdorur informacion të klasifikuar.
“Ky është tregtim i qartë i brendshëm (insider trading) dhe është i paligjshëm sipas ligjit federal,” thanë zyrtarët e drejtësisë.
Van Dyke, një ushtar aktiv i Ushtrisë amerikane i stacionuar në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, fitoi më shumë se 409,000 dollarë si rezultat i basteve të tij.
Forcat amerikane sekuestruan Nicolás Maduro-n dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores nga rezidenca e tyre në Caracas gjatë një operacioni të guximshëm natën më 3 janar dhe i dërguan në New York për t’u përballur me akuza për armë dhe drogë, të cilat ata i mohojnë.
Sipas akuzës, Van Dyke kishte vendosur baste mbi kohën dhe rezultatin e operacionit, të quajtur “Operation Absolute Resolve”, “vetëm për të fituar para”, tha Departamenti i Drejtësisë.
DOJ pretendon se më 26 dhjetor 2025, Van Dyke krijoi një llogari në Polymarket dhe filloi të tregtonte në tregje që lidhen me Maduro-n dhe Venezuelën. Ai dyshohet se vendosi baste mbi 33,000 dollarë ndërsa kishte akses në informacion të klasifikuar dhe jo publik mbi operacionin.
Polymarket deklaroi se kur identifikoi një përdorues që po tregtonte me informacion qeveritar të klasifikuar, e raportoi rastin tek DOJ dhe bashkëpunoi me hetimin.
“Insider trading nuk ka vend në Polymarket. Arrestimi i sotëm tregon se sistemi funksionon,” tha kompania.
Van Dyke është akuzuar për përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial qeveritar për përfitim personal, vjedhje të informacionit jo publik, mashtrim me mallra financiare, mashtrim elektronik dhe transaksione të paligjshme monetare.
Prokurori i Përkohshëm i SHBA-së tha se ushtarakët janë të detyruar të mos përdorin informacion të klasifikuar për përfitim financiar personal.
Ai shtoi se ligjet federale për mbrojtjen e sigurisë kombëtare vlejnë plotësisht edhe për tregjet e reja të basteve (prediction markets).
Prokurori amerikan për distriktin jugor të Neë York-ut tha se këto tregje “nuk janë strehë për përdorim të informacionit të klasifikuar për përfitim personal”.
DOJ tha se Van Dyke kishte nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti që e ndalojnë të zbulojë informacion të klasifikuar mbi operacionet ushtarake.
Prokurorët pretendojnë se nga 8 dhjetori 2025 deri më 6 janar 2026, ai ishte i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit dhe kishte akses në informacione sekrete.
Komisioni amerikan i tregtisë së mallrave (CFTC) ka ngritur gjithashtu një padi kundër tij për tregtim të brendshëm.
I pyetur për këtë rast, presidenti Donald Trump tha se nuk kishte dëgjuar për të, por do ta shqyrtonte.
Ai shtoi se nuk është i kënaqur me këto lloj aktivitetesh dhe se bota është kthyer në një “kazino”.







