Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka bërë një tjetër reagim lidhur me mesazhin e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha të publikuar në media.
Këlliçi shprehet se ky incident nuk kalohet duke fshirë mesazhin ku ka fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe “duke gënjyer me zëdhënës për media”.
Ndër të tjera, deputeti shkruan se tani ministri ka nisur kërkimet për të gjetur personin që nxori mesazhin. Këlliçi thekson se Hoxha duhet të japë dorëheqjen për të shpëtuar dinjitetin e institucionit që drejton.
Reagimi i plotë:
Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke genjyer me zëdhënës për media.
Gjurmët e tua janë aty, tek grupi “Ambasadorët”.
Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin.
Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim.
Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë.
Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne.







