Ballina Ekonomia Ministri i Financave: Nëse përshkallëzohet lufta në Iran, ndërhyjmë për të mbështetur...

Ministri i Financave: Nëse përshkallëzohet lufta në Iran, ndërhyjmë për të mbështetur grupet vurnerabël

79
0

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri me dije se nëse do të ketë përshkallëzim të luftës në Iran, do të ndërhyhet “me mbështetje direkte drejt grupeve më vulnerabël”.

“Shqipëria vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një nga ekonomitë më rezistente sa i përket goditjeve të jashtme. Kjo është treguar edhe me shembuj, kemi pasur 3 kriza të njëpasnjëshme: tërmeti i vitit 2019, që u pasua nga pandemia dhe kriza energjetike e vitit 2022. Pavarësisht këtyre krizave, ne i kemi menaxhuar shumë mirë. Shqipëria, në raport me vendet e tjera, ka pasur normë inflacioni më të ulët gjatë kësaj periudhe. Vlerësohen të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare”, tha fillimisht ministri i Financave, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

Sipas tij, kriza e shkaktuar nga lufta në Iran “është dinamike”.

“Nuk parashikojmë dot fundin e krizës, por institucionet kanë vlerësuar masat e qeverisë, duke nisur nga Bordi i Transparencës, si dhe mekanizmi i reduktimit të akcizës kur çmimi i karburantit kalon një limit të caktuar. Sa i përket sugjerimeve të tyre, ne do të duhet të mbajmë nën monitorim inflacionin dhe vetëm në rast se do të kemi një përshkallëzim të kësaj situate, nëse do të kemi rritje drastike të çmimeve të shportës, do të ndërhyjmë me mbështetje direkte drejt grupeve më vulnerabël”, theksoi ministri i Financave, Petrit Malaj.