Ballina Aktualitet Ulen aksidentet në tremujorin e parë 2026, por më shumë raste në...

Ulen aksidentet në tremujorin e parë 2026, por më shumë raste në Tiranë

86
0

Në muajin mars 2026 janë regjistruar 89 aksidente rrugore në vend, me 117 persona të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur), ndërsa në tremujorin e parë të vitit është shënuar një rënie me 6,3% e numrit të aksidenteve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të INSTAT, pjesa dërrmuese e aksidenteve në mars, rreth 86,5%, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç rezulton më problematikja, duke përbërë 32,6% të totalit të aksidenteve.

Nga analiza kohore, dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve (18%), ndërsa e diela më të ulëtin (9%). Po ashtu, intervali orar 17:00-19:00 mbetet më i rrezikshmi, me 23,6% të aksidenteve.

Referuar shpërndarjes gjeografike, Tirana mban peshën kryesore të aksidenteve, me rritje të ndjeshme në mars 2026 (42 aksidente nga 32 në mars 2025) dhe gjithashtu në tremujor (122 nga 93 një vit më parë). Rritje vihet re edhe në Lezhë dhe Vlorë, ndërsa qarqe si Durrësi, Fieri dhe Gjirokastra kanë shënuar ulje.

Në nivel kombëtar, gjatë periudhës janar-mars 2026 janë regjistruar 282 aksidente nga 301 një vit më parë, si dhe 391 persona të aksidentuar, në rënie nga 424 në të njëjtën periudhë të 2025.